AKTUALITET, 24 Janar 2022, 20:25

Kredia e re në euro u rrit me 46%, arrihet niveli më i lartë në gjashtë vjet

Kredia e re në euro u rrit me 46%, arrihet niveli më i lartë

Kredia në euro shënoi një rritje të lartë gjatë 2021 dhe arriti nivelet më të larta në gjashtë vitet e fundit.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për 11 muajt e vitit 2021 sektori bankar dha 846 milionë euro kredi të reja në valutën europiane, me një rritje prej 46% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas kohëzgjatjes së kredisë, peshën më të lartë në portofol e ka kredia afatgjatë me maturim mbi pesë vjet, që përbënte mbi 45% të totalit, ndërsa pjesa e mbetur ndahej mes maturitetit afatshkurtër dhe atij afatmesëm.

Fakti që kredia në euro po pëdoret kryesisht për kredi afatgjata e lidh përdorimin e saj kryesisht me investimet dhe sidomos me blerjen e pasurive të paluajtshme, si nga bizneset, ashtu edhe nga familjet. Faza e re e lulëzimit të tregut të pasurive të paluajtshme në dy vitet e fundit po tërheq investime në rritje në këtë segment dhe kredia bankare ka qenë një mbështetje e fortë e kërkesës në këtë treg.

Nga ana tjetër, kredia e re në lekë për 11-mujorin e vitit të kaluar pësoi rënie, me 6.1% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, në vlerë kredia në lekë ngeli dominuese edhe vitin e kaluar, me një total disbursimesh prej 114.6 miliardë lekësh. E konvertuar me kursin mesatar të vitit të kaluar, kjo shumë është e barazvlefshme me rreth 1.07 miliardë euro. Sipas kohëzgjatjes, edhe kredia në lekë është dominuar kryesisht nga afatet e gjata të maturimit, me rreth 42% të totalit. Këto shifra tregojnë se viti i kaluar e ka stopuar tendencën e orientimit të kreditimit të ekonomisë drejt monedhës vendase.

Rikthimi i rritjes së kredisë në euro gjatë vitit të kaluar mund të shpjegohet nga disa faktorë dhe ndoshta më kryesori është rritja e lartë e depozitave në euro. Sipas Bankës së Shqipërisë, depozitat në valutën europiane u rritën me 17.7% ose me 800 milionë euro për 11-mujorin e vitit të kaluar. Rritja e depozitave në euro rrit mundësitë e bankave për të kredituar në këtë monedhë.

Një faktor tjetër që shkon në favor të kredisë në euro janë edhe normat më të ulëta të interesit. Megjithëse në vitet e fundit diferenca mes normave të interesit në lekë dhe në euro është ngushtuar, për euron ato ngelen në nivele më të ulëta. Kjo lidhet kryesisht me faktin se për bankat mbajtja e fondeve të papërdorura në euro ka kosto më të lartë krahasuar me ato në lekë. Norma mesatare e huave të reja të dhëna për individët gjatë 11 mujave të vitit 2021 ishte 3.88%, ndërsa i njëjti tregues për lekun rezultoi 5.87%.

Për një pjesë të konsiderueshme të huamarrësve, që i kanë të ardhurat në lekë, huamarrja në euro shtron në afatin e gjatë rrezikun e kursit të këmbimit. Megjithatë, interesat më të ulëta të euros dhe pozitat e forta të lekut në kursin e këmbimit gjatë vitit të kaluar duket se kanë ndikuar në një percpetim më të ulët të këtij rreziku nga huamarrësit./ Monitor.al

Kredia e re në euro u rrit me 46%, arrihet niveli më i lartë