AKTUALITET, 24 Janar 2022, 16:01

Zgjedhje e 6 marsit/ Rama "ndez motorët” e fushatës, nis takimet në qarqe

Zgjedhje e 6 marsit/ Rama "ndez motorët” e fushatës, nis

Në një kohë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka caktuar anëtarët e KZAZ-ve për gjashtë bashkitë ku do të mbahen zgjedhjet e pjesshme vendore, PS ka ndezur motorët e fushatës.

Kryetari i PS Edi Rama ka nisur sot takimet bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm, drejtuesit politikë dhe deputetët e qarqeve ku ka zgjedhje.

Takimi i parë sot ishte në Fier dhe ka zgjatur rreth një orë, ndërsa në ditët në vijim do të jenë qarqet e tjera.

Kujtojmë se Grupi parlamentar i Partisë Socialiste zhvilloi një mbledhje këtë të hënë. Pjesëmarrës në këtë takim ishte edhe kryeministri Edi Rama. Ai i dha udhëzimet deputetëve të tij në këtë sesion parlamentar. Do të jenë disa çështje kryesore që do të shoqërojnë jetën politike. Rama nisi me Këshillimin Kombëtar, vazhdoi me zgjedhjet e pjesshme lokale dhe përfundoi me çështjen e Presidentit të ri.

Në mbledhjen e grupit parlamentar Kryeministri Edi Rama tha se në muajin Prill duhet të zgjidhet Presidenti i Republikës. Ai i kërkoi deputetëve të tij që të gjejnë mënyra se si të këshillohen edhe me qytetarët për këtë vendimmarrje. Kryeministri tha se me situatën në PD është i vështirë dialogu me opozitën.