AKTUALITET, 24 Janar 2022, 19:29

Ekzekutimi i shqiptarit në Ekuador/ Nisin hetimet, kontrollohen imtësisht kamerat e sigurisë

Ekzekutimi i shqiptarit në Ekuador/ Nisin hetimet, kontrollohen

Vrasja e shqiptarit Ergys Dashi në Ekuador ka bërë që autoritetet vendase të ngrihen në këmbë.

Pasditen e sotme, presidenti i vendit Guillermo Lasso është takuar me drejtorin e policisë dhe kryebashkiaken e Guayaquil-it, Cynthia Viteri.

Viteri deklaroi se dy ditë më parë ka dorëzuar në qeveri bazën e të dhënave në mënyrë që kamerat për njohjen e fytyrës të funksionojnë siç duhet. Ndërkohë në muajt në vazhdim kamerat do të shtohen në 15 mijë nga dy mijë që janë aktualisht.

Sipas Viterit, një kërkesë që ka mbetur pezull është edhe autorizimi i përdorimit të armëve jovdekjeprurëse për agjentët që po trajnohen për të mbështetur punën e policisë.

Dashi u ekzekutua mbrëmjen e së shtunës në  Guayaquil të Ekuadorit me një plumb në kokë. Autori, i cili mbante në dorë një buqetë me lule, shkoi me vrap në drejtim të tryezës ku ai ishte ulur, e qëlloi në kokë dhe u largua.

Pasi ekzekutuan 34-vjeçarin nga Durrësi, autorët hapën zjarr edhe në drejtim të klientëve të tjerë në lokal, duke bërë që të gjithë të gjenin strehim poshtë tavolinave. Në vendngjarje u plagos edhe një vajzë. Dyshimet janë për rivalitet në trafik të kokainës.