AKTUALITET, 25 Janar 2022, 10:39

Konflikti me Ukrainën, ambasada e SHBA në Tiranë shpërndan mesazhin e fortë: Rusia ka dy rrugë

Konflikti me Ukrainën, ambasada e SHBA në Tiranë shpërndan

Ambasada Amerikane në Tiranë vijon të reagoj lidhur me konfliktin mes Ukrainës dhe Rusisë, ku nuk përjashtohet mundësia e një lufte.

Ambasada ka shpërndarë një thirrje të Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken, i cili shprehet se Rusia ka dy rrugë, ajo e dialogu dhe rruga e agresionit.

“Ne i kemi dhënë Rusisë dy rrugë. Është rruga e diplomacisë dhe e dialogut…, por është edhe rruga e agresionit të saj të përsëritur dhe pasojave masive që ne e kemi ndërtuar tani për shumë javë,” tha Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

 “Dhe nuk jemi vetëm ne që e themi këtë. G7-ta, ekonomitë kryesore demokratike në botë, kanë qenë të qarta për këtë. Bashkimi Evropian ka qenë i qartë për këtë. NATO ka qenë e qartë për këtë”, ka shtuar Blinken.

Nga ana tjetër Presidenti amerikan Joe Biden bisedoi virtualisht të hënën me udhëheqësit kryesorë evropianë në lidhje me rrezikun e vazhdueshëm të një pushtimi të Ukrainës nga Rusia, ndërsa po shqyrton dërgimin e disa mijëra forcave amerikane në vendet balltike dhe në Evropën Lindore.

Presidenti Biden nuk ka vendosur ende nëse do të dislokojë paisje dhe personel ushtarak amerikan më pranë territorit të Rusisë.

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Biden do të zhvillonte biseda nga dhoma operacionale e sigurisë së lartë e gjendur në Shtëpinë e Bardhë, me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von Der Leyen, Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel, Presidentin francez Emmanuel Macron, Kancelarin gjerman Olaf Scholz, Kryeministrin italian Mario Draghi, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, Presidentin polak Andrzej Duda dhe Kryeministrin britanik Boris Johnson.

Më herët të hënën, NATO tha se ka vënë në gjendje gatishmërie trupat e saj dhe po dërgon anije dhe avionë luftarakë në Evropën Lindore, ndërkohë që Pentagoni tha se ka vënë deri në 8,500 trupa në gatishmëri për dislokim të mundshëm në Evropë, nëse aleanca e NATO-s aktivizon një forcë të reagimit të shpejtë.

Njoftimi nga Pentagoni, i bërë i ditur nga zëdhënësi John Kirby, është sinjali më i fundit i vendosmërisë së Shteteve të Bashkuara në kushtet e grumbullimit të trupave ruse në kufi me Ukrainën.

Zoti Kirby qartësoi se ende nuk ishte marrë një vendim nëse do të dërgoheshin trupat. NATO-ja denoncoi Rusinë për përshkallëzim të tensioneve në lidhje me krizën në Ukrainë. Zyrtarët e NATO-s gjithashtu thanë se aleanca mund të dërgonte trupa shtesë në krahun e saj juglindor.

Duke përshëndetur një sërë dislokimesh të njoftuara nga anëtarët e aleancës ditët e fundit, Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg tha se aleanca e NATO-s do të marrë “të gjitha masat e nevojshme”.

Vendimi është një shenjë e mëtejshme se Perëndimi po përgatitet për një sulm të Rusisë mbi fqinjin e saj, pasi Moska grumbulloi rreth 100,000 trupa në kufirin me Ukrainën.