AKTUALITET, 21 Nëntor 2025, 14:03

Kapen në Prishtinë 120 kg drogë në një autobus që kishte ardhur nga Shqipëria (VIDEO)

Kapen në Prishtinë 120 kg drogë në një autobus që

Njësitë Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në orët e hershme të mëngjesit, kanë ndalur një autobus në Autostradën “Ibrahim Rugova”, i cili udhëtonte nga Shqipëria drejt Kosovës pa pasagjerë. Mjeti është shoqëruar për kontroll të detajuar në objektet e Doganës në Prishtinë.

Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se gjatë kontrollit, ku janë përdorur pajisjet profesionale të ofruara nga programet e Qeverisë së SHBA-së, përfshirë skanerin e dhuruar së fundmi, si dhe qentë nuhatës të dhuruar nga organizata gjermane GIZ - është zbuluar një sasi prej rreth 120 kilogramësh narkotikë të llojit kanabis.

Ku ishin fshehur pakot me drogë brenda në autobus?

"Ky zbulim përfaqëson një arritje të jashtëzakonshme në përpjekjet e Doganës së Kosovës për të mbrojtur shoqërinë dhe për të parandaluar trafikun e substancave të ndaluara. Ai vjen vetëm pak javë pas një rasti tjetër të përmasave të ngjashme, i realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë", thuhet në njoftim.

Rasti i sotëm i është dorëzuar njësive Antidrogë të Policisë së Kosovës për procedura dhe veprime të mëtejshme penale.

"Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, duke rritur bashkëpunimin me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë për të garantuar sigurinë dhe sundimin e ligjit. Po ashtu, shpreh mirënjohjen e saj të thellë për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përkrahjen e vazhdueshme ndër vite, përmes donacioneve, trajnimeve dhe asistencës teknike".

Një person me inicialet B.K (shofer autobusi) është arrestuar pasi i janë gjetur dhe sekuestruar rreth 120 kilogramë substancë narkotike.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se B.K., me vendim të Prokurorisë Speciale është ndaluar për 48 orë.

"Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është arrestuar B.K., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale 'Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge'. I dyshuari B. K., është ndaluar në rajonin e Prishtinës, dhe në autobusin që po e drejtonte, i është gjetur dhe sekuestruar një sasi e substancës narkotike, që dyshohet të jetë rreth 120 kg. Hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë së bashku me Prokurorinë Speciale, janë duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi".

Prokuroria Speciale thekson se mbetet e vendosur në luftimin dhe ndjekjen e veprave penale, përfshirë atyre që lidhen me substanca narkotike, për të garantuar siguri dhe mirëqenie në komunitet.