TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Imzot Gjergj Meta, ipeshkvi i Rrëshenit të Mirditës nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka reaguar për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, ku mbeti i vrarë Martin Bardhi.
Meta bën thirrje që të ruajmë qetësinë dhe lutet për paqe. Prej vitesh ipeshkvi i Rrëshenit gjendet pranë ngjarjeve të qytetit të tij, ku vazhdimisht ndan apele të ndryshme sensibilizuese.
POSTIMI I GJERGJ METËS
“Të dashur miq,
Dje në Rrëshen ndodhi një ngjarje shumë e rëndë që shkaktoi vdekjen e një personi, plagosjen e tre të tjerëve dhe solli tronditje të madhe tek të gjithë ne. Ngushëllime familjes për humbjen e njeriut të tyre e shërim sa më shpejtë të plagosurve!
Në një qytet të vogël si i yni, ngjarje të tilla e shenjojnë thellësisht jetën e çdo njeriu, por kanë ndikim negativ dhe sjellin zymti në të gjithë vendin. Ju ftojmë të gjithëve sot, në meshën e orës 17:00, gjatë së cilës do të kremtojmë edhe përkujtimin e Shën Vinçenc de Paolit, që të lutemi për qytetin tonë, në mënyrë që në zemrat e secilit të sundojë paqja dhe e mira. Na jep o Hyj paqen dhe dashurinë tënde!“,
Martin Bardhi (Marku) u ekzekutua një ditë më parë në lokalin e tij që ndodhet në hyrje të spitalit të Rrëshenit, 50 metra përballë komisariatit të qytetit.
Ilir Bardhoku, Olti Gjini, Indrit Bardhi ndodheshin të 3 të ulur në një tavolinë me Bardhin, kur në drejtim të tyre u qëllua me breshëri automatiku. Nga të shtënat mbeti i vrarë 59-vjeçari Bardhi, i cili sipas të gjitha të dhënave ishte dhe objektiv i këtij atentati.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 10:40 në lokalin e viktimës që ndodhet në qendër të Rrëshenit. Sa i përket autorëve, ata dyshohet se ishin 2 persona të maskuar, të cilët lëviznin me një fuoristradë që u gjet e djegur në fshatin Gëziq të Mirditës.