TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Normat e interesit të kredive për shtëpi në Lekë e kanë frenuar rritjen gjatë këtij viti.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit për kreditë e reja në Lekë gjatë muajit korrik pësoi rënie në 4.04%, nga 4.3% që kishte qenë në muajin qershor.
Shifrat e këtij viti tregojnë se në përgjithësi normat e interesit për këtë produkt kanë ndjekur një tendencë rënëse, pas rritjes së shpejtë në gjysmën e dytë të vitit 2022.
Pasi u rritën deri në një nivel mesatar prej 4.99% në muajin nëntor 2022, normat mesatare të interesit pësuan një rënie graduale dhe aktualisht qëndrojnë poshtë niveleve të shënuara në pjesën e dytë të vitit të kaluar.
Një ndikim të konsiderueshëm në këtë tendencë ka pasur frenimi i rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë dhe sidomos rënia e yield-eve të Bonove të Thesarit.
Normat e interesit të kredive, veçanërisht për periudhën e ndryshueshme, janë të lidhura drejtpërsëdrejti me ecurinë e yield-eve të Bonove, kryesisht të atyre 12 mujore.
Gjatë këtij viti, yield-et e Bonove 12-mujore kanë shënuar një tendencë rënëse, duke zbritur shumë afër nivelit të normës bazë të interesit. Kjo ka bërë që edhe norma mesatare e interesit të kredive për shtëpi të korrigjohet në rënie gjatë këtij viti.
Ndërkohë, bankat po vazhdojnë të ofrojnë kushte tërheqëse për këtë produkt, sidomos në periudhën fillestare me norma fikse interesi. Kredia për shtëpi është një produkt që u mundëson bankave ndërtimin e portofoleve afatgjata dhe një shpërndarje të mirë të rrezikut të kredisë.
Kredia për shtëpi është gjithashtu ndër produktet më cilësore të kredisë, me raportin më të ulët të kredive me probleme. Për këto arsye, konkurrenca në produktin e kredisë për shtëpi ngelet e lartë, me marzhe më të ulëta dhe me norma fikse interesi në vitet e para të kredive.
Duke qenë se rritja e interesave nuk është përcjellë plotësisht as në krahun e depozitave, duket se bankat kanë ende marzhe për të ofruar çmime tërheqëse për ato produkte që perceptohen si cilësore dhe të leverdishme në afatin e gjatë, si kredia për shtëpi.
Ndërkohë, në monedhën Euro gjatë muajve po vërehet një tendencë në rritje e normave të interesit të kredisë për shtëpi. Në muajin korrik, norma mesatare e interesit arriti në 5.32%, nga 4.86% që kishte qenë në muajin qershor. Rritja e interesave për Euron po reflekton politikat e Bankës Qendrore Europiane dhe rritjen e normës bazë të monedhës europiane në nivelin më të lartë historik. Kjo rritje është reflektuar edhe në treguesin referencë rë Euriborit. Euribori 12-mujor ka kaluar nivelin e 4.2%, më i larti në 15 vjet.
Megjithatë, edhe në monedhën Euro norma mesatare e interesit të kredive ngelet me një marzh të vogël mbi Euriborin dhe rritja e normave të interesit që nisi në 2022 nuk është përcjellë plotësisht./Monitor