TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, në një lidhje direkte nga Kosova me emisionin “Të Paekspozuarit”, në MCN TV, duke komentuar sulmin terrorist ndaj policisë së Kosovës, u shpreh sea ajo që ndodhi më 24 shtator është edhe për shkak të një qasje jashtëzakonisht të butë dhe deklarimeve jo fort të qarta të bashkësisë ndërkombëtare, të disa vendeve dhe disa figurave politike pas rrëmbimit të 3 policëve më 14 qershor.
Sipas ministrit, të huajt kërkonin lirimin e policëve, por nuk dënonin agresionin e Serbisë dhe kjo qasje tolerante trimëroi Serbinë dhe Vuçiçin, që të futet në aventura të tilla që me një numër kaq masiv dhe armatim kaq të madh të tentojë të destabilizojë Kosovën.
Biseda në studio
Artan Hoxha: Ju dhe qeveria e Kosovës përmes informacionit që kishit i shpallët si organizata terroriste “Brigadat e veriut” dhe “Mbrojtja civile” që ishin organizatorët në terren të ngjarjes së fundit. Atëherë mbaj mend zëdhënësin e BE-së që doli dhe akuzoi qeverinë e Kosovës për qëndrim të njënashëm dhe të parakohshëm. Nga informacioni që ju kishit, a ishit në dijeni se çfarë po bëhej në veri të Kosovës, sepse pamjet që sollët ju tregonin një organizatë terroriste me artileri të rëndë dhe transportues të blinduar që nuk mund t’i futësh kollaj në territorin e Kosovës? A ka patur mundësi që të bëhej një ndërhyrje më përpara për ta parandaluar ngjarjen e fundit dhe për të mos u dhënë mundësi forcave ushtarake që hynë nga territori serb për një situatë konflikti në Kosovë?
Xhelal Sveçla: Ne kishim informacione për këto grupe që po trajnoheshin nga shteti i Serbisë në kampe të ndryshme përreth Republikës së Kosovës. Kjo po vazhdon ende nga njësitë e specializuara të Serbisë. Ky nuk është kontigjenti i parë me armatim që është konfiskuar në veri të Kosovës. Në Zveçan ne zbuluam dy herë numër të madh të armatimit që lidhen drejtpërdrejt me grupe që ne i shpallëm terroriste.
Ajo që ndodhi me 24 shtator është edhe për shkak të një qasjeje jashtëzakonisht të butë, deklarimeve jo fort të qarta të bashkësisë ndërkombëtare, posaçërisht disa vendeve dhe disa figurave politike. Të mos harrojmë më 14 qershor rastin kur u kidnapuan 3 policë në territorin e Kosovës. Ata u kidnapuan 970 metra brenda territorit të Kosovës dhe se faktori ndërkombëtar e ka ditur këtë dhe ata u rrëmbyen nga njësitë speciale të policisë serbe. Qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare ishte shumë i butë. Ata kërkonin lirimin e policëve, por nuk dënonin agresionin e Serbisë dhe kjo qasje tolerante trimëroi Serbinë dhe Vuçiçin që të futet në aventura të tilla që me një numër kaq masiv dhe armatim kaq të madh të tentojë të destabilizojë Kosovën.