TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Shoqatat e mediave kanë reaguar pas sulmit të ndodhur në "Top Channel", ku mbeti i vrarë roja i sigurisë, Pal Kola, 60 vjeç.
Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias, Safe Journalist Albania, shoqata “Gazetarët Profesionistë të Shqipërisë”, "Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë" dhe AMA kërkojnë zbardhjen e ngjarjes. Në reagime dënohet sulmi ndaj medias dhe kërkohet vënia e autorëve para drejtësisë.
Reagimet:
Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias: Mbetëm të shokuar kur mësuam se ka pasur një sulm me armë zjarri në ambientet e Top Channel në #Shqipëri, ku humbi jetën një roje sigurie e objektit. I shprehim ngushëllimet tona familjes dhe i bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të kryejnë hetime të pavarura dhe profesionale.
Safe Journalist Albania: Mendimet tona janë me familjen e rojës së sigurisë që humbi jetën në sulmin tragjik ndaj ambienteve të Top Channel në Shqipëri. I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të kryejë hetime të plota dhe të paanshme për këtë incident dhe të nxjerrë autorët para drejtësisë.
“Gazetarët Profesionistë të Shqipërisë” dhe "Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë": Dënojmë me forcë sulmin terrorist me armë në orët e para të mëngjesit të sotëm ndaj televizionit kombëtar Top Channel, gjatë të cilit humbi jetën roja i sigurisë. Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë shprehin solidaritetin e plotë me kolegët e gjithë komunitetin e Top Channel dhe i përcjellin ngushëllimet më të ndjera familjarëve të të ndjerit Pal Kola. Shoqata u bën thirrje agjencive ligjzbatuese për hetime të sa më të shpejta dhe transparente mbi këtë ngjarje tronditëse për gjithë komunitetin e gazetarëve.
AMA: Ngjarja e mesnatës së kaluar, kur godina e televizionit Top Channel ishte objekt një sulmi me armë zjarri, me pasojë humbjen e jetës së një punonjësi të sigurisë, po përcillet me shumë shqetësim nga Autoriteti i Mediave Audiovizive.
Goditja e një mjedisi mediatik është një goditje ndaj demokracisë, ndaj lirisë së fjalës dhe mendimit. AMA shpreh ngushëllimet për familjen e punonjësit që humbi jetën nga ky agresion i papranueshëm dhe qëndron në krah të të gjithë ekipit të televizionit në këto momente të vështira. AMA kërkon nga institucionet ligjzbatuese që të përparojnë me shpejtësi për ndriçimin sa më parë të rrethanave dhe autorët të vihen para përgjegjësisë ligjore.
Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00. Persona të paidentifikuar u afruan pranë Top Channel me një automjet tip 'Range Rover' me targa të vjedhura dhe qëlluan me breshëri kallashnikovi kundrejt ambienteve të televizionit. Një nga plumbat kapi rojen e sigurisë, Pal Kola, 60 vjeç, i cili ndërroi jetë në vend.
Autorët u larguan nga vendngjarja, ndërsa mjeti bashkë me dy kallashnikovët u gjetën duke u djegur. Shkaqet e ngjarjes nuk dihen ende.