AKTUALITET, 12 Maj 2022, 21:18

Sulmi i Ramës ndaj SPAK/ Shkullaku: Flet si Fidel Kastro! Arben Krajën ta thërrasë që të hetojë inceneratorët

Sulmi i Ramës ndaj SPAK/ Shkullaku: Flet si Fidel Kastro! Arben Krajën
Armand Shkullaku në TPZ

Armand Shkullaku thotë se sulmi i Edi Ramës ndaj SPAK, është një përpjekje për të spostuar vëmendjen nga problemet e qeverisjes. 

I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, Shkullaku i sugjeroi Ramës të thërrasë Arben Krajën dhe ti kërkojë të hetojë se kush janë pronarët e inceneratorit të Tiranës dhe a janë të njëjtë persona që sot janë arrasitur.  

"Mazhoranca me përgjegjësinë që ka për drejtimin e vendit, duhet të kërkojë llogari ndaj institucioneve. Duhet të ishte Kuvendi normalisht, të bëhej interpelancë, Komision Hetimor, analizë të punës etj. Metoda e forumeve partiake, është atavizëm i kohërave të shkuara. Kjo ndodhte në kohën e Hoxhës, që thoshte drejtësia ti tregojë vendin armikut të klasës.

Këto të Ramës më kujtojnë Fidel Kastron që fliste nga tre orë dhe të gjithë i zintë gjumi. Rama e di cfarë ka bërë Meta, Berisha, ministrat e Berishës. Me një punë më të vëmendshme dhe të përkushtuar mund të kishin mbledhur fakte dhe dokumenta për ti çuar në prokurori.

Unë pres që një forum partiak si asambleja, së pari mblidhet për të kërkuar llogari atyre që janë mandatuar për të drejtuar vendin dhe partinë. Kriza ekonomike, pse paguajmë naftën 2 euro litri, bujqësia, etj. Pra mendova se do të bëhej analizë e ministrave dhe nuk e dija që ishin mblehdur për fjalimet e liderit që i kërkon llogari SPAK-ut.

Është shkëputje vëmendje nga problemet reale për të cilat është votuar mazhoranca, pra për të qeverisur. Nuk e kemi zgjedhur Ramën për të vendosur drejtësinë globale. Mund të jetë i shqetësuar edhe për drejtësinë në Ukrainë, por e kemi votuar për gjë tjetër.

Mirë në opozitë deri në 2013, Rama e shtyu jetën me Sali Berishën. 2013-2021, fajin e ka Saliu dhe Meta. Tani edhe në 2022 me Saliun do merremi ne?

Po të isha në vendin e kryeministrit, do të më shqetësonte fakti që kemi një aferë si ajo e inceneratorëve. Do ti kerkoja SPAK të zbardhë kush janë pronarët e inceneratorit të Tiranës. Nëse janë të njëjtë si ata të Fierit dhe Elbasanit, që sot janë në kërkim, ne vijojmë ti paguajme.

Kjo duhet të jetë kambanë alarmi për Edi Ramën", tha Shkullaku.