AKTUALITET, 2 Mars 2024, 18:14

Humbën jetën nga shpërthimi I fuqishëm në Lushnjë, përcillen për në banesën e fundit babë e bir

Humbën jetën nga shpërthimi I fuqishëm në Lushnjë,

Babë e bir, që humbën jetën tragjikisht si pasojë e shpërthimit në një zonë në Lushnjë, janë përcjellë sot për në banesën e fundit. Në Stan Karbunarë ditën e sotme u hapën dyert e mortit për Roland dhe Lidio Hoxhën, të cilët humbën jetën teksa punonin në ndërtimin e një kapanoni.

Fshatin e ka pllakosur zija, ndërsa fqinjët rrëfejnë mes lotësh se ishin punëtorë dhe familje e shkëlqyer. Roland Hoxha dhe i biri, Lidio ishin duke punuar në vinç ku me ndihmën e tij ngrinin 2 bombola oksigjeni me të cilat po kryenin saldime në pjesën e tarracës. Dyshohet se gjatë punës një bombol u shkëput nga vinçi dhe u përplas në tokë duke shkaktuar një shpërthim që shkatërroi gjithçka dhe mori jetën e të dyve.

Nga fuqia shpërthyese u shkëputën telat e tensionit të lartë 110 kv që kalonin sipër magazinës që po ndërtohej nga deputeti i Partisë Socialiste prej 2 mandatesh në Lushnje Bujar Çela, i cili mbeti i plagosur së bashku me gjashtë persona të tjerë të cilët kanë qenë duke punuar në magazinën e tij.

Të dëmtuarit u transportuan në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa për manovratorin e vinçit Roland Hoxha i cili ndërroi jetë në vendngjarjen dhe të birin Lidio, i cili ndërroi jetë 2 orë më vonë, mjekët nuk mundën të bënin gjë, pasi dëmtimet ishin të konsiderueshme. Për ta ishte dita e parë e punës ne këtë kantier qe rezultoi dhe e fundit. Krahas deputetit Çela dhe 41-vjecari Sokol Lumi në Lushnjë janë të lënduarit Sajmir Korreshi, Ilia Sota, Lunedi Golemi, Eriget Gorovelli dhe Ervis Sharka.