AKTUALITET, 4 Dhjetor 2022, 20:17

Hakerat publikojnë listën e zgjedhësve. Kanë edhe një pyetje për Edi Ramën

Hakerat publikojnë listën e zgjedhësve. Kanë edhe një
Foto ilustrim

Hakerat që sulmuan sistemet dixhitale të institucioneve shqiptare, kanë publikuar mbrëmjen e sotme (e diel), listën e zgjedhësve. 

Databaza e publikuar në Telegram, përmban emrin, mbiemrin, ditëlindjen, atësinë dhe qendrën e votimit për secilin zgjedhës. 

Kujtojmë se listat e zgjedhësve bëhen publike dhe afishohen në qendrat e votimit përpara zgjedhjeve. 

Hakerat e kanë shoqëruar postimin me një pyetje ironike për kryeministrin Rama. 

"A mendojnë ende politikanët e korruptuar se ne nuk kemi akses në të dhëna sensitive?", shkruhet në mesazhin që shoqëron databazën e publikuar. 

Qeveria dhe kryeminstri kanë mohuar që hakerat të kenë marrë informacione sensitive, por publikimet e tyre të vazhdueshme sugjerojnë se ata kanë arritur të marrin informacione mjaft të dëmshme dhe përmasat e sulmit kanë qenë katastrofale. Kujtojmë se ata kanë publikuar emrat e agjentëve të SHISH, udhëtimet e kreut të SHISH dhe emailet e tij, si edhe informacione të shumta të zyrtarëve të lartë dhe dokumenta të administratës. 

Hakerat e "Homeland Justice", i lidhin publikimet me faktin se Shqipëria strehon muxhahedinët e MEK në kampin e Manzës, të cilët kryejnë aktivitet për rrëzimin e regjimit në Iran. Ata kanë deklaruar se çdo "organizatë qeveritare dhe jo qeveritare, që mbështet MEK, do të targetohet.