TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano do të ketë garë ndërkombëtare. Sipas zëvendëskryeministres njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku pak javë na ndajnë nga hapja e saj.
“Vetëm pas pak javësh do të ketë hapjen e një gare ndërkombëtare për ndërtimin e porti të ri në zonën e Porto Romanos, pak milje larg nga këtu ku jemi, i cili do të jetë port i të gjithë shqiptarëve dhe i të gjithë ballkanasve perëndimorë, pasi parashikon që ti ofrojë shërbime me dy porte të thata, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, përveçse Shqipërisë. Ne për më tepër si mikpritës që jemi dhe si dashamirës të të gjithë shteteve të tjera të rajonit do ti kemi dyert të hapura edhe për Bosnje Hercegovinën, edhe për Serbinë, madje edhe për Malin e Zi, se ndoshta disa prej zonave përqark i vjen më lehtë të vijnë në një port modern si ai i Durrësit, padashur që të them asgjë të keqe për portin e Barit.”, tha Balluku.
Zëvendëskryeministrja Balluku ishte në Durrës ku mori pjesë në eventin që i dedikohej detarisë dhe zhvillimit të mëtejshëm të sektorit që qeveria sipas numrit dy të saj e konsideron një nga kolonat e zhvillimit ekonomik të vendit. “5 vite sa për 50 vjet, sepse gjithçka fillon nga kuptimi, nga vlerësimi i një sektori, i një programi apo i një projekti. Ajo çka kemi bërë ne në këto 5 vite është që kemi kuptuar, kemi analizuar dhe më pas kemi projektuar zhvillimin e një nga sektorëve më të rëndësishëm në Republikën e Shqipërisë, në qoftë se ne duam të jemi një vend i Bashkimit Europian.”, shtoi ajo.
Në mbështetje vjen dhe strategjia kombëtare për rivitalizimin e rrjetit hekurudhor shqiptar. “Duke e nisur pikërisht nga Durrësi, me hekurudhën e parë e cila lidh Tiranën, aeroportin e Rinasit dhe portin ndërkombëtar të Durrësit. Për të vazhduar pastaj me Korridorin e VIII, për tu lidhur nga Durrësi me Rrogozhinën dhe më pas me Pogradecin dhe dalje në dy pikat kufitare, atë të Maqedonisë së Veriut dhe atë të Greqisë dhe për të vazhduar më tej në një hekurudhë që do të nisë nga Durrësi dhe do t’i drejtohet trojeve të tjera të shqiptarisë, Kosovës.”, tha ajo. Për të përparuar më shpejt zëvendëskryeministrja vuri theksin tek bashkëpunimi rajonal dhe bashkërendimi i projekteve mes shteteve.