TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ish-deputeti socialist Petro Koçi ka ndarë kujtimet e tij për ish-kryeministrin Fatos Nano, pas ndarjes nga jeta të liderit historik të Partisë Socialiste.
I ftuar në studion e News24, Koçi u kthye pas në kohë, duke rrëfyer marrëdhënien e ngushtë që kishte me Nanon dhe periudhën e transformimeve politike që ai udhëhoqi.
“Jeta jonë politike ishte e lidhur ngushtë me Fatosin. Për një kohë kam qenë sekretar organizativ dhe më duhej të punoja me strukturat në rrethe. Ka qenë një periudhë tjetër, ku duhej të ndryshonim mentalitetin totalitar që kishte mbijetuar edhe pas vitit ’92,” tha Koçi.
Sipas tij, Nano ishte “kampion i lirisë”, jo vetëm për mënyrën se si drejtonte Partinë Socialiste, por edhe për frymën që imponoi në marrëdhëniet midis partisë dhe shtetit. Ai tha se në PS ka pasur njerëz që kanë abuzuar me pushteti që u dha Nano.
“Monizmi ra realisht në ’97. Nano solli frymën e debatit dhe të mendimit ndryshe. Ai e kënaqte debati, edhe me ata që nuk mendonin si ai…Sigurisht që pati nga ata që abuzuan me pushtetin që iu dha. Madje, pati njerëz që nuk e meritonin. Grupit të Metës iu dha pushtet i pamerituar, ndërsa vetë Meta mori postin e kryetarit të PS-së në Tiranë, madje edhe pa votë,” tha Koçi.
Sipas tij, pavarësisht abuzimeve, liria që Nano promovoi ishte një pengesë për përqendrimin e pushtetit dhe për frikën që ushqen korrupsionin.
“Liritë politike kufizojnë më shumë abuzimin sesa mungesa e tyre. Kur njerëzit kanë frikë të flasin, krijohet terren për korrupsion,” përfundoi Koçi.