AKTUALITET, 6 Dhjetor 2023, 10:59

Edi Rama: Nuk hezituam për ta shpallur Vjosën park kombëtar, por nuk mund të admirojmë vetëm zogjtë e lulet. Na duhet turizmi i luksit

Edi Rama: Nuk hezituam për ta shpallur Vjosën park kombëtar, por

Kryeministri Edi Rama thotë se qeveria e tij nuk ishte hezituese për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar, por qëllimi ka qenë arritja e një ekuilibri për ta kthyer atë në një territor të shfrytëzueshëm ekonomikisht.

Një deklaratë të tillë, Rama e bëri nga prezantimi i tre ideve finaliste të Konkursit Ndërkombëtar të Qendrës Multifunksionale dhe Stacioneve të Informimit për Parkun Kombëtar të Vjosës.

Kreu i qeverisë shqiptare thotë se pasuritë natyrore duhen vënë në dispozicion të familjeve që jetojnë aty për t’i shndërruar në perspektivë të zhvillimit ekonomik.

“Për njerëzit e zakonshëm na duhet turizmi i luksit”, thotë ai.

Ndërkohë, iu është drejtuar me një mesazh dhe gjithë kritikëve, të cilët, siç shprehet ai i tregojnë si duhet mbrojtur natyra, duke thënë se do ju kujtojë gjithnjë Parkun Kombëtar të Vjosës.

Edi Rama: Ka qenë një proces, sepse kemi dashur që të jemi shumë të sigurtë që të arrijmë të balancojmë nevojën për të ripërtërirë një territor të mahnitshëm me nevojën e njerëzit e këtij territori për zhvillim ekonomik.

Dhe këtu kthehem tek ata që na bëjnë leksione e morale që shohin të parën dhe nuk duan t’ja dinë për të dytën.

Do të ishin krejt të lumtur që ta shihnin çdo pjesë të natyrës së Shqipërisë si nëj xhungël, të numëronin të gjitha speciet, pa numëruar njerëzit.

Ndërkohë që parku Kombëtar i Vjosës përshkon një numër të konsiderueshëm bashkish të cilat kanë nevojë për një rrugë dhe perspektivë zhvillimi ekonomik.

Ne nuk kemi qenë hezitues për ta shpallur Vjosën si park kombëtar se ka qenë pjesë e vizionit që në krye të herës, po kemi dashur që ti ekuilibrojmë sa më mirë që të dyja.

Shqipëria është një vend që ka të drejtën dhe ambicien që këtë dhuratë kaq të madhe të zotit ta vërë në dispozicion të vetes dhe familjeve që jetojnë në këtë pozicion.

Dhe nuk kanë pse të mos meritojnë standarte më të larta ekonomike, të cilat nuk mund të krijohen vetëm nga ajo pjesë turistësh që vijën në Shqipëri me një çantë në krah, por duhet të kombinohen.

Na duhet turizmi i luksit, na duhet për njerëzit e zakonshëm. Sepse përmes këtij turizmi marrim të ardhurat më të mëdha.

Cilido që do të jetë përballë nesh se si duhet të mbrohet natyra dhe se si nuk duhet ët prekim asgjë rreth e rrotull ne do tu kujtojmë parkun e Vjosës. Është një nga vendimet më të mëdha dhe më të guximshme dhe më të rëndësishme për të ardhmen që një qeveri mund të merrte.

Por, të admirosh këtë vendim dhe duke u kujtuar vetëm për zogjtë, peshqit dhe lulet pa patur parasysh komunitetet që duhet të kenë një perspektivë ekonomike, është shumë e lehtë, ndërsa ta shohësh të parën duke mos harruar të dytën është një sfidë më vehte.