TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, që pretendon mandatin e tretë në zgjedhjet e 14 majit, nga selia e shenjtë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, ndërsa uroi besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Novruzit, u shpreh se ka ardhur koha që edhe festa e Ashures të jetë një festë zyrtare.
“Ne do të punojmë që edhe festa e Ashures të jetë një festë zyrtare. Ashtu si të gjitha besimet e tjera i kanë dy festat zyrtare, ka ardhur koha që edhe komuniteti bektashi të ketë festën e vet zyrtare. Kemi pasur edhe angazhimin e qeverisë, që këtë vit ta materializojmë. Vetëm duke i respektuar të gjithë, respektojmë bashkëjetesën tonë. Nëse arrijmë që secilit besim t’i japim vendin që meriton, respektin që meriton, atëherë kemi respektuar veten dhe kemi respektuar kombin modern që duam të ndërtojmë,” deklaroi Veliaj.
Festa e Ashures, një rit tradicional Bektashian, përkujton 72 të rënët në tokën e Qerbelasë dhe vjen pas 10 ditësh agjërimi, gjatë të cilave përkujtohet sakrifica e besimtarëve bektashinj. Këtë vit ajo do të festohet në 27-28 korrik.
Për Komunitetin bektashi 22 marsi është prej vitit 1996 njëra nga 14 festat zyrtare të Shqipërisë, dekretuar nga ish-presidenti Sali Berisha, që e konsideron ende ditë të fitores së demokracisë, pasi erdhi në pushtet pas zgjedhjeve parlamentare të 22 marsit 1992.
Në shkurt 1996, ish-presidenti Berisha i propozoi Kuvendit të Shqipërisë që ta shpallë Ditën e Nevruzit festë zyrtare në Shqipëri, ndërsa ky i fundit e miratoi me shumicë votash.