AKTUALITET, 22 Mars 2023, 11:44

IKMT i shkon sërish në derë Irfan Hysenbelliut! "Shpërthen" biznesmeni: Ramën e kam ndihmuar, por është i sëmurë! Jam i detyruar të mbështes opozitën

IKMT i shkon sërish në derë Irfan Hysenbelliut!

IKMT dhe Policia e Shtetit kanë zbarkuar sot në Prestige Resort për të sekuestruar dy godina dhe Akuaparkun, objektet e fundit që kanë mbetur nga resorti dikur në pronësi të Irfan Hysenbelliut. 

Pronari i News 24, pretendon se sekuestrimet janë të paligjshme dhe se ai po goditet në mënyrë selektive, për shkak të linjës editoriale të mediave që drejton. 

Hysenbelliu reagoi me anë të një lidhje telefonike të gjatë, në televizionin që ka në pronësi, ku foli për shumë ngjarje, duke përmendur emra konkretë të ministrave dhe zyrtarëve me të cilët ka patur lidhje mjaft të ngushta dhe pretendon se i ka ndihmuar me mediat e tij. 

Hysenbelliu ka pranuar se ka patur lidhje të forta me mazhorancën, madje duke sugjeruar se këto lidhje arrinin deri te Edi Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama, por sot ankohet se kryeministri po e godet padrejtësisht. 

Hysenbelliu e ka quajtur Ramën "të sëmurë" dhe "diktator", ndërsa shtoi se edhe bashkëshortja e tij "është e pashpirt". 

Biznesmeni tha se nuk beson te opozita, por është i detyruar të mbështesë atë, pasi nuk ka ç'bën tjetër. Ai deklaroi se ka mbështetur Lulzim Bashën dhe ishte kundër Berishës dhe Metës, por tashmë gjërat kanë ndryshuar. 

"Kë të mbështes unë? Jam i detyruar të mbështes opozitën", deklaroi ndër të tjera Hysenbelliu. 

Kujtojmë se gjatë muajit gusht 2022, IKMT shembi hotelin Prestige të Hysenbelliut, me argumentin se ishte ndërtuar pa leje. Po kështu, disa biznese të Hysenbelliut janë gjobitur nga autoritetet me argumentin se nuk kanë paguar taksat dhe detyrimet. 

Në raportin e fundit të DASH për Shqipërinë, përmendet shembja e hotelit, por duket se kjo nuk e ka stepur aspak qeverinë dhe ditën e sotme është paraqitur për konfiskimin e objekteve të fundit që mbeten nga Prestige Resort. 

"Në 4 dhjetor, IKMT shembi një hotel duke cituar shkelje të rënda të ligjit për ndërtimet. Në 1 dhjetor, kompania që kishte në pronësi resortin, dorëzoi një padi në Gjykatën Administrative të Durrësit duke kërkuar një pezullim, deri në shqyrtim të ligjshmërisë së urdhërit të IKMT për shembje. Gjykata nuk caktoi në kohë një gjyqtar dhe IKMT vijoi me shembjen. Pronari i hotelit, i cili gjithashtu zotëron disa media dhe biznese të tjera, pretendoi se hoteli i tij u shemb për të mbytur kritikën dhe disidencën. Qeveria pohoi se ka vepruar sipas ligjeve në fuqi dhe se kjo shembje ishte pjesë e një fushatë më të gjera për të zhdukur ndërtimet e paligjshme në vend", thuhet në raportin e DASH për vitin 2022.