AKTUALITET, 27 Shkurt 2024, 12:30

Amnistia penale, Ulsi Manja: Nuk ka qëllim të përfitojë asnjë person i dënuar nga GJKKO

Amnistia penale, Ulsi Manja: Nuk ka qëllim të përfitojë

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka deklaruar se Amnistia Penale nuk ka si qëllim që të përfitojnë personat e dënuar nga GJKKO. Në një deklaratë për gazetarët, ai u shpreh se amnistia  është e cunguar pasi 95 përqind e veprave penale të parashikuara në Kodin Penal nuk përfshihen.

Sipas tij nga amnistia penale përfitojnë 3 ish punonjës policie të dënuar për shpërdorim detyre në Kukës.

“Amnistia penale një nga parimet e saj ka humanizmin dhe qëllimin e dënimit që është rehabilitimi. Bëhet fjalë për amnisti për një kategori të dënuarish që kanë vuajtur mbi 2/3 e dënimit dhe përmes një amnistie presin të shkojnë tek familjet e tyre.

Kjo që kemi paraqitur, askush nuk e ka lexuar ligjin, por hodhi dikush një gurë në zall dhe të gjithë politikanë, analistë dhe deputetë u bënë bashkë, o burra të shpëtojmë republikën.

Është një amnisti e cunguar. 95 % e veprave janë të përjashtuara nga kjo amnisti. Askush prej nesh nuk ka pasur dhe nuk ka qëllim që përmes këtij ligji të amnistojë asnjë person të dënuar nga GJKKO.

Debati është bërë një për amendament, që për të siguruar barazinë e qytetarëve ka dhënë mundësinë që të përfitojnë 1 vit ulje burrat dhe 1.5 gratë që nuk përfitojnë nga amnistia e plotë. Ulja e dënimit për shkak të amnistisë nuk ta heq njollën, quhesh i dënuar. Në variantin fillestar të qeverisë ky amendament nuk ka qenë. Nëse do miratohet kështu siç është përfitojnë nga 1 muaj dhe 3 muaj, 3 ish punonjës policie të dënuar në Morinë të Kukësit”, tha ministri.