AKTUALITET, 5 Dhjetor 2023, 10:51

Akuzohet se dhunoi gruan dhe u kap me armë pa leje në banesë, lihet në burg ish-drejtori i burgut të Fushë-Krujës

Akuzohet se dhunoi gruan dhe u kap me armë pa leje në banesë,

Durim Toska, ish-drejtori i burgut të Fushë-Krujës është njohur sot me masën e sigurisë.

Gjykata e Korçës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për ish drejtorin e burgut që dyshohet se dhunoi pak ditë më parë bashkëshorten e tij ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjet edhe armë zjarri me municion të cilën 52 vjeçari e posedonte pa lejë.

Durim Toska u arrestua mbrëmjen e 2 dhjetorit në Pogradec.

Arrestimi i tij u mësua 1 orë pasi ministria e Drejtësisë informoi për shkarkimin e Toskës nga posti i Drejtorit të Institucionit të Ekzekutimit të Veprave Penale në Fushë-Krujë.

Sipas një njoftimi nga Ministria e Drejtësisë, Toska është shkarkuar nga ministri i Ulsi Manja, me propozim të drejtorit të përgjithshëm të Burgjeve, për cenimin e kritereve etike e ligjore

“Ministri i Drejtësisë, z. Ulsi Manja, ka ndërmarrë këtë hap, pas propozimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, duke e bazuar vendimin në kritere etike dhe ligjore të cenuara nga z. Durim Toska. Vendimi vjen në përshtatje me objektivat e Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për përmirësimin e efikasitetit dhe integritetit në sistemin e drejtësisë”, njofton Ministria e Drejtësisë.

Njoftimi i policisë:

Pogradec/Ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe posedonte në banesë armë zjarri me municion pa leje, vihet në pranga 52-vjeçari.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasin D. T., 52 vjeç, banues në fshatin Piskupat, Pogradec, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij iu gjet një armë zjarri tip pistoletë me municion luftarak, të cilën 52-vjeçari e posedonte pa leje

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.