AKTUALITET, 5 August 2026, 23:03

Zjarr masiv në Malin e Gjerë mbi Levenisht, zjarrfikësit në betejë me flakët

Një zjarr ka përfshirë kurorën e gjelbër në shpatet e Malit të Gjerë, mbi fshatin Levenisht, në zonën e quajtur Milava.

Flakët janë përhapur me shpejtësi dhe kanë marrë përmasa të mëdha, duke përfshirë një sipërfaqe me bimësi të dendur. Terreni i vështirë i zonës po e vështirëson ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.

Në vendngjarje ndodhen tre grupe shërbimi të Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Gjirokastër, të cilat po punojnë për izolimin e vatrës së zjarrit dhe shuarjen e flakëve.

Deri më tani nuk dihet shkaku i zjarrit dhe as autori i mundshëm i zjarrvënies. Autoritetet vijojnë punën për kontrollin e situatës dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.