AKTUALITET, 5 August 2026, 20:14

AZHBR gati këstin e parë të subvencioneve, 7.2 miliardë lekë për 41 mijë fermerë

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) pritet të nisë së shpejti disbursimin e 7.2 miliardë lekëve, fond i vënë në dispozicion nga qeveria për fermerët që aplikuan në Skemën Kombëtare dhe Skemën e Investimeve.

Rreth 41 mijë fermerë pritet të përfitojnë subvencione. Numrin më të lartë të aplikimeve këtë vit e kanë regjistruar fermerët që kanë kërkuar mbështetje për tokën e punuar dhe blegtorët e të imtave.

Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Guri, bëri të ditur se AZHBR ka përfunduar kontrollet paraprake për Skemën e Pagesave Direkte dhe ka hartuar listën e përfituesve, e cila po i nënshtrohet verifikimeve përfundimtare, në mënyrë që të nisë pagesa e këstit të parë të shumave të kërkuara nga fermerët.

Ndërkohë, 465 fermerë kanë aplikuar për mbështetje financiare në kuadër të Skemës së Investimeve, për ndërtimin e fermave të reja, staneve ose për blerjen e traktorëve.

Sipas Gurit, ky vit ka shënuar nivelin më të lartë të kërkesave për financim që është regjistruar ndonjëherë në kuadër të Skemës Kombëtare, me një fond total prej 7.2 miliardë lekësh.

Heqja e mbështetjes për naftën nga Skema Kombëtare e këtij viti shkaktoi debate, por zëvendësministri theksoi se modeli i ri është ndërtuar sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe është menduar të jetë afatgjatë.

“Nuk mendojmë që skema do të ketë ndryshime në strukturë në vitet në vijim. Mund të ketë zgjerim të saj në varësi të fondeve që do të vihen në dispozicion, pasi ajo është në përputhje me mënyrën se si Bashkimi Evropian mbështet fermerët e tij”, u shpreh Fatmir Guri.

Në buxhetin e shtetit, në fillim të vitit, për Skemën Kombëtare ishte parashikuar një fond prej 5.2 miliardë lekësh. Megjithatë, për shkak të numrit të lartë të aplikimeve në Skemën Kombëtare dhe Skemën e Investimeve, fondi u rrit me 2 miliardë lekë, duke arritur në total në 7.2 miliardë lekë.