AKTUALITET, 5 August 2026, 17:20

Reforma e re territoriale, Mazniku: Kemi bërë analiza paraprake, bashkitë do të jenë më efektive

Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, thotë se drafti është hartuar me qëllimin për t’i bërë bashkitë më funksionale dhe në shërbim të qytetarëve. Në studion e MCN, ai tha se pavarësisht bashkimit të disa prej tyre, strukturat e reja do të jenë më efikase se sot.  

"Maliqi do të mbajë statusin e qytetit, do të ketë një nënkryetar të posaçëm dhe numër proporcional këshilltarësh në Bashkinë e Korçës. Nuk ndryshon asgjë për qytetarët, por funksionet që nuk kryhen nga bashkitë e vogla sot, do të kryhen nga kjo strukturë e re". 

Mazniku tha se ndryshe nga sa pretendon opozita, reforma e re është hartuar mbi analiza të detajuara. 

"Është bërë një analizë ekonomike e secilit prej elementëve. Kryesorja është indeksi i funksionalitetit të bashkive. Është analizuar a kanë borxhe dhe sa i kanë. Është bërë një analizë që lidhet me ekonominë e territorit. Dhe së treti është analizuar demografia, raporti mes zonave urbane dhe atyre rurale. 
Kemi dy të dhëna specifike: lëvizjen nga zonat rurale në ato urbane. Njerëzit kanë lëvizur nga zonat rurale në ato urbane. Në Shqipëri raporti është 60% në zonat urbane me 40% në zonat rurale".

I pyetur në lidhje me mungesën e dakordësisë me opozitën, Mazniku tha se asaj iu dha mundësia, por nuk ishte e gatshme për konsensus. 

"Për fat të keq ne kemi shkuar në një pikë që i dhamë të gjitha mundësitë opozitës, por kur mendonim se do të gjenim një ekuilibër të shëndetshëm, përballë nesh kishim kërkesë për të shtuar numrin e bashkive. 46 bashki, 71 qytete, ekuilibër mes eficiencës, por opozita nuk ishte e interesuar. Megjithatë, detyra jonë është të qeverisim".