TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Familjet shqiptare shpenzuan mesatarisht 5150 lekë në muaj për kujdes shëndetësor gjatë vitit 2020, me një rritje prej 28% në krahasim me një vit më parë dhe për një total të vlerësuar prej afro 392 milionë eurosh, sugjerojnë statistikat e publikuara nga Instituti i Statistikave në raportin mbi Anketën e Buxhetit të Familjes. Shifra e frikshme, e cila është pothuajse e barabartë me shumën e shpenzuar për kujdes shëndetësor përmes buxhetit të shtetit ndërsa pjesa që qytetarët u detyruan të paguajnë nga xhepi në një vend që ëndërron “shëndetësi falas” duket se shënoi një rekord të ri negativ.
Gjatë vitit 2020, shpenzimet e buxhetit të shtetit për shëndetësinë ishin 51.6 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet e familjeve nga xhepi vlerësohet të kenë qenë 47.5 miliardë për një total prej 99.1 miliardë lekësh ose 820 milionë euro.
Instituti i Statistikave publikoi të martën rezultatet e anketës së konsumit të familjeve, një anketë ku rreth 7800 familje janë intervistuar rregullisht përgjatë një viti për të matur sjelljen e tyre konsumatorë. Të dhënat tregojnë se shqiptarët shpenzuan mesatarisht 83 mijë lekë në muaj për familje, me një rritje të vockël prej 1.5% në krahasim me vitin 2019, ku shpenzimet për shëndetësi ishin grupi i vetëm me rritje. Sektorët më të goditur nga kriza rezultuan argëtimi dhe kultura, shpenzimet për të cilat ranë me 26% si dhe veshjet dhe këpucët që ranë me 10%.
Pjesa më e madhe e shpenzimeve të familjeve shqiptare shkojnë për ushqime. Familja tipike shpenzon 42% e të gjitha parave për ushqim.
Tirana është qarku më i pasur, ku familjet konsumojnë mesatarisht 98 mijë lekë mallra dhe shërbime në muaj ndërsa Kukësi është qarku më i varfër ku shpenzimet mesatare familjare janë 70 mijë lekë.
Familja mesatare shqiptare ka 3.6 anëtarë ndërsa në Shqipëri vlerësohet se ka aktualisht 768,963 familje.
Shqipëria u prek nga pandemia e koronavirusit të ri në mars të vitit të kaluar, por deri në fund të verës, numri i rasteve ishte i ulët. Situata u përkeqësua me shpejtësi në tetor, nëntor e dhjetor ndërsa shënoi kulmin në shkurt të këtij viti.
Shpenzimet e shqiptarëve për kujdes shëndetësor ka gjasa janë rritur edhe më tej këtë vit./BIRN