TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi gjatë mbledhjes së Komisionit të Sigurisë Kombëtare ditën e sotme u pyet nga deputeti i opozitës Enkelejd Alibeaj në lidhje me avionin e rrëzuar në Vermosh. Alibeaj e pyeti ministrin se si ka mundësi që policia nuk ka asnjë mbi shtetasit që po udhëtonin me avion apo se çfarë po transportohej me të.
Ministri iu përgjigj shkurt kësaj pyetjeje duke thënë se ai nuk është zëdhënës i Ministrisë së Brendshme, dhe se tashmë dikasteri që ai drejton e ka dhënë komunikatën zyrtare në lidhje me këtë ngjarje.
Sipas tij do të ketë ndëshkimin që jep ligji si për pilotët e avionit ashtu edhe për bashkëpunëtorët e tyre.
“Për aksidentin, për pilotët ndëshkimin e ligjit deri në fund, edhe për bashkëpunëtorët e tyre. Nuk dua të bëhem zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Policia e Shtetit e ka dhënë një deklaratë për këtë punë. Të jeni të sigurt që nuk do të ketë asnjë tolerim”, tha Çuçi.
Gjithashtu ministri iu përgjigj edhe interesimit të deputetit Alibeaj në lidhje numrin e shqiptarëve që kanë kërkuar azil jashtë vendit, por edhe numrin e të huajve që kanë mbërritur deri më tani në Shqipëri.
Enkelejd Alibeaj: Sa shqiptarë kanë kërkuar azil politik sot që flasim? Pyetja e dytë sa shqiptarë kanë ikur nga ky vend?
Pyetja e tretë është se ju thatë se shqiptarët kanë refuzuar vendet e punës dhe ndaj ju, ia keni ofruar të huajve, kemi një statistikë sa janë shqiptarët që e kanë refuzuar vendin e punës dhe sa janë kuotat që pritet të vijnë?
Ka dal gjithashtu raporti i Global Initative, i cili e ka nxirë situatën në këtë vend. Një nga pikat e raportit është që ky vend është kthyer në punësimin kriminal të të rinjve. Të rinjtë ose ikin ose kthehen në kriminel dhe shpërndarës droge. A keni një përgjigje për këtë situatë?
Paulin Sterkaj: Këta do dalin nga rrjedha e diskutimit. Këto që flasin këta në lidhje me emigracionin nuk kanë lidhje me dekretin e presidentit. Kur keni kërkesa kaq të shumta për ministrin silleni në interpelancë. Nuk kam asnjë gjë me ju, jam ndjerë mirë që keni ardhur, por pyetjet nuk kanë lidhje me rendin e ditës.
Xhemal Qefalia: Do t‘i lutesha ministrit të përgjigjej vetëm për pyetjet që janë mbi dekretin e presidentit. Ju lutem të respektojmë rendin e ditës.
Bledi Çuçi: Qeveria ka bërë goxha analiza, ka krijuar strategji, ku vetëm në mars të 2020 kemi miratuar VKM-në për emigracionin. Por kemi edhe ligje të tjera që janë mbi problematikat që ngritën kolegët. Kemi një sërë nismash për ta adresuar atë problem.
Në lidhje me pyetjen sa shqiptarë kanë kërkuar azil, e kemi shifrën nga Eurostatit. Nëse në 2013 kanë aplikuar 11400 shqiptarë për azil, në 2020-ën kanë aplikuar 6995 dhe në 2021 nga muaji janar deri në gusht janë kryer 2980 aplikime.
Këtë e them me përgjegjësi se janë të dhëna nga Eurostati. Për të gjetur sa kanë ikur duhet një studim më i gjerë dhe unë mund të flas vetëm me statistika zyrtare.
Vijmë te pyetja tjetër sa të huaj do mbani? Po ju them se në 2019 janë pajisur me leje qëndrimi 8241 shtetas të huaj nga të cilët 4300 kanë qenë për qëllime punësimi. Në vitin 2020, 7771 shtetas të huaj janë pranuar, ku me qëllim punësimi 3127.
Në 2015 janë pajisur me leje qëndrimi pune 3139 shtetas të huaj, në 2016 me leje pune janë pajisur 3323 shtetas të huaj, në 2017 janë pajisur me leje qëndrimi pune 3122 shtetas të tjerë.
Në 2018 kishim në total 10507 shtetas të huaj prej të cilëve 4159 janë për arsye punësimi.