TEJ E KETEJ, 12 Maj 2021, 12:20

Urdhër i prerë i Nikoll Lesit: Të mos i shoh më Nanon dhe Berishën në gazetën "Koha Jonë"!


Me rastin e 30 vjetorit të gazetës "Koha Jonë", të themeluar pikërisht në qytetin e Lezhës dhe të përhapur më pas në të gjithë Republikën tonë, sikundër pritej, ka ndodhur një akt i paprecedent.

Është vetë themeluesi dhe botuesi legjendar i kësaj gazete, Nikoll Lesi, i cili i'u ka komunikuar në këtë 30 vjetor, të gjithë gazetarëve një vendim të formës së prerë, vendim që nuk ka ndodhur në asnjë gazetë tjetër të botës, që nga lindja e gazetës së parë.

Përmes një mesazhi në Whatsapp, për përdorim të brendshëm, zoti Lesi ka shpallur non grata Sali Berishën dhe Fatos Nanon, për të gjithë të këqijat, që i kanë bërë në 30 vjet kësaj gazete.

Kjo hakmarrje e Lesit, me ndalim të përjetshëm për pjesëmarrje në gazetë, vjen pikërisht në momentin kur Fatos Nano nuk lexon më gazeta shqiptare dhe Sali Berisha boton vetëm në Facebook-un e tij dhe në portalin Syri.net, ose siç thotë Edi Rama, neti.sy.

Ky mesazh i pazakontë, i botuesit të gazetës legjendare opozitare, "Koha Jonë", ka befasuar keq të gjithë redaktorët dhe veçanërisht gazetarin Mili Xhani, i cili ka mbetur pa gojë për pesë orë rresht, por mbi të gjitha, ka befasuar vetë Presidentin Ilir Meta, i cili e ka thirrur Nikollën për konsultime dhe i është lutur që doktori ynë, pra Berisha, të përjashtohet nga ky urdhër kaq i rëndë ndalimi në formë diskriminimi, ndërsa Fatos Nano është i vetë-përjashtuar.

PS. Më poshtë lexoni të plotë mesazhin që Nikoll Lesi ka dërguar për redaksinë!

/TPZ.al/Tej Këtej/

"Vendimi i Bordit të Koha Jonë: Asnjë shkrim nuk lejohet të botohet nga Sali Berisha dhe Fatos Nano në gazetë apo web te Koha Jonë. Pra ata të dy shpallen “a non grata” në Koha Jonë. I pari e dogji, kurse i dyti e çoi drejt falemintimit median tonë. Mezi kemi rezistuar 30 vite vetëm prej sulmeve dhe pabesive të të dyve. Kush thyen vendimin largohet nga puna”