SPORT, 14 Gusht 2021, 14:53

Zhvillime te Teuta, largohet një kampion, vjen një sulmues holandez

Zhvillime te Teuta, largohet një kampion, vjen një sulmues holandez

Pas përfundimit të aventurës europiane, që u mbyll pikërisht në turin e tretë të Conference League, te Teuta kanë nisur të mendojnë për sezonin e ri, duke qenë se nga skuadra u largua një tjetër protagonist i suksesit në kampionat.

Bëhet fjalë për portierin Stivi Frashëri, i cili u dha zyrtarisht lamtumirën “bregdetarëve”, pas dy sezonesh me fanellën e Teutës dhe tani pritet të provojë një tjetër eksperiencë, me shumë mundësi në Superligën e Kosovës, ku e kërkon me ngulm skuadra e Ballkanit.

“Dy vite plot sukses me kete fanelle, dy vite ku une si lojtar profesionist fitova gjithcka qe kampionati shqiptar ofron … Erdhi momenti qe te hedh nje hap te ri drejt nje sfide te re. Me kujtimet me te bukura te mundshme nga klubi @kfteuta.official , plot 3 Trofe ne kaq pak kohe , kjo eshte nje “Mirupafshim” miqte e mi durrsak. Faleminderit ! SF77”, shkroi gardiani në rrjetet sociale, duke bërë zyrtar divorcin.

Vetëm pak minuta pas zyrtarizimit të largimit të Frashërit, ishte klubi durrsak që njoftoi edhe firmën me sulmuesin anësor holandez, Arsenio Valpoort. Futbollisti 29-vjeçar me origjinë nga Surinami, ka një karrierë mjaft të pasur, pasi ka luajtur me klube si Herenveen, Zwolle, Ferencvaros, Walvijk, etj., ndërsa së fundi ishte pjesë e qipriotëve të Ermis Aradippou.