SPORT, 14 Gusht 2021, 13:25

Kërcënoi dhe nxiti akte dhune ndaj Xhakës, tifozi i Arsenalit përjashtohet për tre vjet nga stadiumet

Kërcënoi dhe nxiti akte dhune ndaj Xhakës, tifozi i Arsenalit

Problemi i abuzimeve dhe sjelljeve raciste ndaj lojtarëve në rrjetet sociale në Angli është kthyer në një problem të madh.

Aq shumë pati vitin e kaluar, madje edhe gjatë Euro 2020 saqë klubet e Premier League janë bërë bashkë për të luftuar këtë fenomen dhe për të zbuluar çdo tifoz abuzues.

I tillë është rasti i një tifozi anglez i cili u konfliktua me Granit Xhakën në rrjetet sociale madje ai u akuzua se ka kërcënuar dhe ka nxitur akte dhune përmes rrjeteve sociale ndaj lojtarit.

Vetë Granit Xhaka i lodhur nga këto sjellje pati deklaruar se do të donte ta takonte e të përballej personalisht me këtë tifoz i cili me profil të rremë e ngacmonte, e provokonte dhe e kërcënonte familjarisht lojtarin shqiptar.

Tashmë Arsenali dhe klubet e tjera të Premier League kanë nënshkruar marrëveshje me kompani teknologjike për të identifikuar këta tifozë problematikë për t'i ndëshkuar siç është rasti i këtij tifozi të cilin topçinjtë e kanë ndëshkuar me tre vite jashtë Emirates por mund ta pësojë më keq duke u përjashtuar përgjithmonë nga autoritetet nga çdo impiant futbolli.