BOTA, 7 September 2026, 16:55

Video/ Sulmet ajrore izraelite në Liban, plagosen gjatë raportimit ‘live’ gazetari dhe kameramani

Momenti kur një sulm ajror izraelit goditi zonën e Nabatiyas, në jug të Libanit, u regjistrua nga kamera e një televizioni, ndërsa një gazetar dhe kameramani i tij po raportonin drejtpërdrejt nga vendi i ngjarjes.

Si pasojë e sulmit u plagosën korrespondenti i televizionit Al-Manar, Ali Shbib, dhe kameramani që e shoqëronte. Të dy ndodheshin në një distancë të shkurtër nga vendi i goditjes kur ndodhi shpërthimi.

Kamera kapi momentin e sulmit, ndërsa gazetari dhe kameramani u transportuan më pas në spitalin Sheikh Ragheb Harb, ku morën ndihmën mjekësore. Sipas informacioneve të raportuara, gjendja shëndetësore e të dy të plagosurve është e qëndrueshme.

 

Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit raportoi se një prej sulmeve ajrore kishte në shënjestër një parking në qytetin e Nabatiyas. Nga goditja u dëmtuan disa ndërtesa, ndërsa disa automjete u përfshinë nga flakët.

Sipas të njëjtit burim, avionët luftarakë izraelitë kryen një seri sulmesh ajrore në zona të ndryshme.

Që prej 2 marsit, Izraeli ka intensifikuar operacionet e tij ushtarake në territorin libanez.