AKTUALITET, 17 Nëntor 2020, 19:47

Ylli Rakipi: Sulmet e trasha ndaj Bashës, tregues se Ramës po i mbarojnë bateritë dhe sajesat...

Ylli Rakipi: Sulmet e trasha ndaj Bashës, tregues se Ramës po i


Gazetari Ylli Rakipi, ka dhënë një intervistë për Juli Kristafin në Syri TV, lidhur me akuzat e fundit të artikuluara ndaj kreut të opozitës, Lulzim Basha nga mazhoranca dhe mediat pranë saj, si person që ka dëmtuar luftëtarët e UÇK-së.

Rakipi tha se televizionet kryesore në vend kontrollohen nga qeveria dhe pronarët e tyre i shërbejnë pushtetit dhe se rasti konkret i akuzave ndaj Bashës, është një tregues i kësaj gjendje të medias.

"Qeveria kontrollon pjesën më të rëndësishme të mediave në Shqipëri, është përqëndruar fort për t'i patur nën kontroll. Ndërsa pronarët luajnë për interesat e tyre personale. Është formulë e njohur, ku valët televizive që janë pronë publike, janë rrëmbyer dhe përdoren për interest e një grupi njerëzish.

Ishte turp të ndiqje programet mbrëmë, dukej sikur në disa salla teatri po luhej e njëjta tragjikomedi, ndryshonin vetëm ata që flisnin, por ngjarja ishte po ajo. Ishte show i tipit të letërsisë amerikano latine, ku nga njëri televizion në tjetrin, s'kishte ndonjë ndryshim, përjashto Klanin, ku i zoti i emisionit, Fevziu,  u përpoq të shkonte më tej për të shpjeguar përse bëhen sot këto akuza".

Rakipi e konsideroi sulmin e kooordinuar ndaj Lulzim Bashës, si një "përpjekje qesharake" për të zhvendosur vëmendjen nga gjendja e rënduar ekonomike e vendit, afera e inceneratorëve dhe pandemia. Sipas gazetarit, këto akuza tregojnë se Edi Ramës "i kanë mbaruar bateritë", pak muaj përpara zgjedhjeve të 25 prillit.

"Inceneratorët, janë një aferë e kuptueshme, është një gjë krejt e zbuluar. Por në një vend ku nuk ekziston drejtësia, do të thotë që në mënyrë të qëllimtë ato nuk goditen. Shqipëria është e ngarkuar sot me probleme të kësaj afere, probleme ekonomike të mëdha dhe pandemia ka krijuar gjendje mjaft të vështirë.

Rama ka qenë një mjeshtër, për të deleguar problemet dhe hallet, në çështje kaq qesharake. Ai ka ditur, qoftë edhe me poturet që vesh, është një nga qëllimet e tij të rëndësishme, të hedhë vëmendjen gjetkë, që njerëzit të mos shohin atë që po ndodh realisht.

Zoti Basha, ka folur në një nga emisionet, që është si këto që thamë. Zoti Basha ka për detyrë të bëjë një shpjegim të kësaj përpjekje për të mashtuar, për një fake news. Shihja dje gazetarë, që kanë ndejtur dhe në perëndim, që thoshin se Basha ka qenë edhe në 1998-tën në Kosovë dhe këtë e ka thënë Wikipedia!  E kupton sa shërbëtor është ky gazetar?

Kjo është aq qesharake, sa tregon që Ramës po i mbarojnë edhe këto bateri, për t'i hedhur medias këto lloj kotësirash dhe për të zhvendosur vëmendjen.

Kjo është një qeverisje që e fabrikon fake newsin, nga mëngjesi deri në darkë, duke patur mediat më të rëndësishme të vendit në dispozicion dhe në shërbim të vet.

Në regjime, siç është Shqipëria, manipulohet opinion publik. Regjimet kanë në thelb manipulimin, ndaj opozitës i bie një detyrë shumë e madhe, për të qenë e aftë t'i përgjigjet dhe ta godasë këtë manipulim", tha Rakipi.

/TPZ.al/