TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ky artikull është përshtatur në shqip nga “Corriere della Sera”. Në qendër të tij është takimi i të dërguarve amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner me Vladimir Putin dhe mënyra se si Moska e interpreton këtë vizitë.
Sipas analizës, Rusia nuk e sheh më veten si palë që duhet të nxitojë drejt një marrëveshjeje për Ukrainën. Përkundrazi, Kremlini beson se koha po punon në favor të tij dhe se tani janë SHBA-të dhe Perëndimi ata që kanë më shumë nevojë për një marrëveshje.
“Vrima në petull”
Kur dy televizionet kryesore shtetërore ruse flasin për një “vrimë në petull”, shprehje që i ngjan “bëri një vrimë në ujë” në shqip, duket se nuk ka shumë për të shtuar.
Nuk bëhet fjalë vetëm për ironinë e zakonshme ndaj dy amerikanëve, Witkoff dhe Kushner, të cilët në Moskë konsiderohen si njerëz të afërt me Trumpin. Kjo shprehje është edhe një gjykim i qartë për dështimin e misionit të tyre.
Mesazhi i propagandës ruse është i qartë: nuk ishte Rusia që kishte nevojë për ta, por ata që kishin nevojë për Rusinë.
“Shumë vonë”
“Dy amerikanët patën një bisedë shumë të këndshme dhe miqësore me Putinin, me simpati të ndërsjellë. Por nuk ka asnjë mundësi reale që kjo të sjellë hapa të shpejtë dhe të rëndësishëm drejt një marrëveshjeje për luftën në Ukrainë.”
Kështu shkruante në një editorial të tij Mikhail Rostovski, një nga komentatorët rusë që njihet për analizat e tij mbi lëvizjet e Kremlinit.
Sipas tij, situata ka ndryshuar dhe rolet janë përmbysur. Trump ka nevojë për rezultate të shpejta, ndërsa Rusia nuk ndien të njëjtin presion.
Interesi i papritur i Trumpit për luftën në Ukrainë, shkruan ai, është i kuptueshëm. Presidenti amerikan përballet me zgjedhjet e rëndësishme të Kongresit në mesin e mandatit dhe ka nevojë të tregojë rezultate. Problemi është se ai nuk po arrin t’i marrë rezultatet aty ku kishte menduar fillimisht, në Iran.
Prandaj, sipas këtij interpretimi, ai është kthyer nga Rusia. Jo për t’i dhënë urdhra Putinit, por për t’i kërkuar diçka.
Dhe përgjigjja e Putinit ka qenë e qartë: koha e SHBA-ve ka kaluar.
Premtimet e bëra në Anchorage rëndojnë ende dhe, sipas Moskës, do të vazhdojnë të rëndojnë mbi çdo përpjekje të ardhshme për negociata me Rusinë.
“Shumë vonë”, shkruan edhe kanali rus në Telegram “Nezygar”, duke cituar një burim diplomatik.
Sipas këtij versioni, Ukraina dhe Perëndimi do të duhet që në të ardhmen të kërkojnë vetë të ulen në tryezën e negociatave me Rusinë, veçanërisht përballë një situate shumë të vështirë që, sipas Moskës, Ukraina mund të përjetojë në fillim të vitit 2027.
Rusia, vijon ky interpretim, nuk e sheh më të nevojshme të bëjë lëshime tani. Ndërsa Witkoff dhe Kushner ishin të përqendruar te Lindja e Mesme, situata në frontin ukrainas, sipas Kremlinit, ka ndryshuar.
Ata janë kthyer shumë vonë…
Paketa e plotë e kërkesave
Putini ka rikthyer në tryezë të gjitha kërkesat e tij për një armëpushim.
Në këtë paketë përfshihen edhe garanci për sigurinë dhe zgjerimin e NATO-s, si dhe kërkesa për ndryshime në udhëheqjen politike të Ukrainës, të cilat Moska i përshkruan me termin “denazifikim”.
Logjika është e vjetër: kur përballë ke një palë të dobët dhe në nevojë, e rrit çmimin.
Këtë ide e kishte shprehur edhe Andrey Gromyko, një nga ministrat më jetëgjatë të Jashtëm të Bashkimit Sovjetik.
Edhe një burim europian që jeton në Moskë e sheh situatën me pesimizëm. Sipas tij, procesi po shkon më shumë drejt vazhdimit të luftës sesa drejt paqes.
“Putini e ka bërë të qartë se asaj që i intereson është korniza: marrëveshjet për NATO-n dhe për mënyrën se si do të qeveriset Ukraina. Për territoret e Donbasit, mendon se do të kujdeset vetë.”
Nëse realiteti në terren nuk përputhet plotësisht me përshkrimin optimist që Putini u ka bërë amerikanëve për përparimin e ushtrisë ruse, kjo duket se nuk e shqetëson shumë.
Presidenti rus beson se ka kohë në dispozicion dhe se dimri është në anën e tij, ndërsa Europa është ajo që po përballet me presionin e kohës.
Pse gjithë kjo afërsi me amerikanët?
Por nëse Rusia nuk pret ndonjë marrëveshje të shpejtë për Ukrainën, atëherë lind pyetja: pse Putini u prit kaq ngrohtë Witkoff dhe Kushner?
Takimi u zhvillua në Sallën e Kuqe të Kremlinit, një nga hapësirat më solemne të ndërtesës, ku zhvillohen takime dhe nënshkruhen marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare.
Kjo nuk është thjesht çështje protokolli. Është edhe një mesazh politik.
Putini ka nevojë të ruajë një ekuilibër të vështirë me SHBA-të. Dhe një mënyrë për ta bërë këtë është të ‘ushqejë’ egon e Trumpit përmes njerëzve të tij më të afërt.
Në këtë mënyrë, Moska mund të vazhdojë njëkohësisht të mbajë marrëdhënie të forta me Iranin, për të cilin Putini ka shprehur sërish mbështetje.
Irani nuk është një nga aleatët që Rusia mund t’i braktisë lehtësisht pa pasoja. Pas Teheranit qëndron edhe një fuqi shumë më e madhe: Kina, e cila po ushtron gjithnjë e më shumë ndikim politik dhe ekonomik mbi Rusinë.
Prandaj, Moska duket se po luan në disa fronte njëkohësisht: për Ukrainën nuk po jep sinjale për kompromis, ndërsa për Lindjen e Mesme lë gjithçka të hapur dhe premton vetëm në mënyrë të vagullt.
Në njërën anë është Vladimir Putin, ish-agjent i KGB-së dhe president i Rusisë prej 25 vitesh. Në anën tjetër janë një biznesmen amerikan i pasurive të paluajtshme dhe dhëndri i presidentit Trump.
Çfarë mund të shkojë keq? Për SHBA-të dhe jo vetëm…