LIFESTYLE, 12 September 2026, 22:15

Video/ Celine Dion rikthehet në skenë pas më shumë se gjashtë vitesh, emocionon 30 mijë spektatorë

Këngëtarja e njohur Celine Dion është rikthyer mbrëmjen e kësaj të shtune në skenë, duke nisur një turne që përfshin 26 koncerte.

Mbrëmja shënoi rikthimin e saj në skenë pas një mungese prej më shumë se gjashtë vitesh. Dion performoi në Plenitude Arena, pranë Parisit, përpara rreth 30 mijë spektatorëve.

E veshur me një fustan të zi pa rripa, këngëtarja e nisi shfaqjen me këngën e saj “On ne change pas”. E emocionuar, në një moment ajo ndaloi së kënduari, ndërsa publiku nisi të brohoriste në mënyrë ritmike emrin e saj.

Rikthimi në skenë vjen pas një periudhe të vështirë për këngëtaren 58-vjeçare, e cila gjatë viteve të fundit ka luftuar me një sëmundje të rrallë neurologjike.

Në vitin 2022, Dion njoftoi se ishte diagnostikuar me sindromën e personit të ngurtë, një çrregullim i rrallë neurologjik që shkakton ngurtësi dhe spazma muskulore. Për shkak të gjendjes së saj shëndetësore, ajo u detyrua të tërhiqej nga aktiviteti skenik dhe të qëndronte larg vëmendjes së publikut.

Që prej atëherë, një nga paraqitjet e saj më të rëndësishme publike ishte pjesëmarrja në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit në vitin 2024, ku performanca e saj u prit me entuziazëm të madh.

Tashmë, Dion ka nisur rikthimin e saj në skenë me një turne të planifikuar me gjithsej 26 koncerte, të cilat pritet të zhvillohen gjatë tetë muajve të ardhshëm.

Rikthimi i saj është pritur me emocione të forta nga fansat, ndërsa koncerti i parë shënoi një moment të veçantë në karrierën e këngëtares pas viteve të përballjes me sëmundjen.