LIFESTYLE, 10 September 2026, 18:34

“Fustani i hakmarrjes” i Princeshë Dianës del në ankand! Veshja ikonike pritet të shitet deri në 300 mijë dollarë

“Fustani i hakmarrjes” i Princeshë Dianës del në

Fustani i famshëm i zi i Princeshë Dianës, i njohur si “fustani i hakmarrjes”, do të dalë në ankand në New York në muajin dhjetor.

Shtëpia e ankandeve Sotheby’s ka njoftuar se veshja ikonike, e dizenjuar nga Christina Stambolian, do të ofrohet për shitje më 9 dhjetor. Vlera e saj parashikohet të jetë nga 150 mijë deri në 300 mijë dollarë.

Fustani, me dekolte të thellë dhe një dizajn që sfidonte normat e familjes mbretërore britanike, u bë i famshëm pasi Diana e veshi gjatë një gala bamirësie në qershor të vitit 1994.

Në atë kohë, Princi Charles kishte pranuar publikisht në televizion se kishte qenë i pabesë ndaj bashkëshortes së tij. Shfaqja e Dianës me fustanin e zi u interpretua gjerësisht si një deklaratë e fuqishme publike, ndaj veshja mori më pas nofkën “fustani i hakmarrjes”.

Morgan Halimi, drejtuesja e modës në Sotheby’s, e cilësoi fustanin si një prej mesazheve më të fuqishme që Princesha Diana ka përcjellë përmes modës.

Sipas saj, momenti u shndërrua në një fenomen ndërkombëtar dhe tregoi se moda mund të përdoret jo vetëm për zbukurim, por edhe si një mënyrë e qëllimshme për të përcjellë një mesazh.

Përpara ankandit, fustani do të ekspozohet në disa qytete. Ai do të prezantohet në Londër nga 18 deri më 24 shtator, në Hong Kong nga 1 deri më 15 tetor, në Gjenevë nga 6 deri më 11 nëntor dhe më pas në New York, duke nisur nga 2 dhjetori.

 Një pjesë e të ardhurave nga shitja do t’i dhurohet Royal Edinburgh Hospital në Skoci, i specializuar në shëndetin mendor.

Fustani ishte shitur edhe më parë në ankand, në qershor të vitit 1997, për të mbështetur organizata bamirësie që luftonin kundër kancerit dhe AIDS-it. Vetëm pak muaj më vonë, Princesha Diana humbi jetën në një aksident automobilistik në Paris, më 31 gusht 1997, në moshën 36-vjeçare.