BOTA, 13 July 2026, 17:55

Trump: SHBA do të jenë “rojtarët e Ngushticës së Hormuzit”, tarifë 20% për ngarkesat që kalojnë në këtë rrugë detare

Trump: SHBA do të jenë “rojtarët e Ngushticës së

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë një tjetër deklaratë me tone të ashpra lidhur me krizën me Iranin, duke njoftuar përmes platformës “Truth Social” se Uashingtoni do të marrë rolin e “Rojtarit të Ngushticës së Hormuzit”.

Trump deklaroi se SHBA do të vendosë një tarifë prej 20% mbi vlerën e të gjitha ngarkesave që kalojnë përmes kësaj rruge detare strategjike, me qëllim, sipas tij, mbulimin e shpenzimeve për sigurinë e lundrimit.

Postimi i presidentit amerikan erdhi disa orë pas një interviste për “Fox News”, ku ai tha se Shtetet e Bashkuara do t’i “mbajnë” Ngushticat e Hormuzit dhe “me shumë gjasa do t’i menaxhojnë ato”, duke argumentuar se aleatët e Uashingtonit duhet të paguajnë për mbrojtjen që SHBA u ofron.

Deklarata e plotë e Trump:

“Ngushticat e Hormuzit janë TË HAPURA dhe do të mbeten TË HAPURA, me ose pa Iranin. Ne po rikthejmë bllokadën ndaj Iranit, pasi ajo lidhet vetëm me anijet iraniane dhe klientët e tyre, duke i penguar ato të hyjnë ose të dalin nga Ngushticat. Të gjitha vendet e tjera do të kenë qasje të lirë dhe të drejtë në këtë rrugë detare. Shtetet e Bashkuara, nga ky moment e tutje, do të njihen si ‘Rojtari i Ngushticës së Hormuzit’. Megjithatë, për arsye drejtësie, do të kompensohemi me 20% të vlerës së çdo ngarkese që transportohet përmes Ngushticave, në mënyrë që të mbulohen të gjitha shpenzimet e nevojshme për ofrimin e sigurisë dhe mbrojtjes në këtë rajon veçanërisht të paqëndrueshëm të botës. Procesi dhe zbatimi i këtij plani do të fillojnë menjëherë. Ju falënderoj për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!”

Më herët, Trump kishte bërë deklarata të ngjashme gjatë intervistës për “Fox News”, ku theksoi se SHBA do të bëhen rojtarë të Ngushticës së Hormuzit dhe do të paguhen për këtë rol.

Në përgjigje të këtyre deklaratave, komanda e përbashkët e forcave të armatosura iraniane paralajmëroi Shtetet e Bashkuara që të mos tentojnë të ndërhyjnë në menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit, ndërsa kërcënoi me sulme ndaj atyre që bashkëpunojnë me Uashingtonin.

“Ne nuk lejojmë dhe nuk do të lejojmë që Shtetet e Bashkuara të ndërhyjnë në menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit”, deklaroi Ebrahim Zolfaghari, zëdhënës i Shtabit Qendror “Khatam al-Anbiya”, në një prononcim të transmetuar nga televizioni shtetëror iranian IRIB.

Ai tha se forcat iraniane do të “përballen ashpër me çdo përpjekje për të shkaktuar trazira dhe pasiguri” jashtë rrugës së përcaktuar nga Teherani.

“Çdo bashkëpunim me SHBA-në dhe çdo mbështetje logjistike ndaj ushtrisë agresore të këtij vendi do të konsiderohet si luftë kundër sovranitetit dhe sigurisë kombëtare të Iranit”, deklaroi Zolfaghari, duke shtuar se një konflikt i tillë mund të “përfshijë të gjitha vendet e rajonit”.