TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Po bëhet çështje vizita dhe incidenti (le ta quajmë kështu) në Bregun Perëndimor i deputetit demokrat nga Kalifornia, Ro Khanna, një përvojë që ai e përshkroi si «një vështrim pa filtra mbi koston njerëzore të pushtimit izraelit», ndërsa po shqyrton një kandidim për presidencën amerikane në vitin 2028.
Gjithçka ndodhi në fshatin palestinez Turmus Ayya dhe ishte vetë senatori progresist ai që ia rrëfeu skenën një gazetari të Reuters, i cili e takoi atë.
«Ishim në një vend që kolonët izraelitë e kishin shkatërruar. Ata kishin shkatërruar shkollën dhe të gjithë fshatin, dhe ne thjesht po e vëzhgonim», tha ai. «Këta keqbërës vijnë me mitralozë – M4, një armë e prodhuar në Shtetet e Bashkuara – dhe na ndalojnë. Bllokojnë rrugën. Më pas thërrasin Forcat e Mbrojtjes së Izraelit, të cilat janë në anën e tyre, jo në anën e amerikanëve.»
Një bashkëpunëtor i tij, Cameron Kasky, i cili ishte pjesë e grupit, tha se ata u mbajtën të bllokuar për më shumë se një orë dhe kërkuan ndihmën e ambasadës amerikane në Jerusalem, derisa një grup efektivësh, që dukeshin si policë, ndërhynë dhe i lanë të lirë.
Khanna, në një postim në profilin e tij personal në X, shkroi: «Kanë bërë një gabim të rëndë».
Deklarata e ushtrisë izraelite (IDF) për ngjarjen thotë se ushtarët dhe policia ndërhynë pasi morën një njoftim se kolonët po bllokonin automjetet pranë Khirbet Zanuta, një fshat i vogël palestinez, banorët e të cilit u zhvendosën me forcë pas sulmeve të dhunshme të kolonëve, në vijim të sulmeve të Hamasit kundër Izraelit në vitin 2023.
«Me mbërritjen e tyre, trupat shpërndanë civilët izraelitë dhe lejuan automjetet të vazhdonin udhëtimin», thuhet në deklaratën e IDF-së.
Ndërkohë, ambasada amerikane në Jerusalem dhe policia izraelite nuk kanë bërë asnjë koment për ngjarjen.
Khanna është demokrati i dytë që shihet si kandidat i mundshëm për Shtëpinë e Bardhë dhe që viziton rajonin këtë javë. Të mërkurën në Tel Aviv ishte Rahm Emanuel, ish-shefi i kabinetit të ish-presidentit Barack Obama, i cili ka qenë shumë kritik ndaj politikave izraelite ndaj palestinezëve, politika që sipas tij «po gërryejnë» mbështetjen për aleancën mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.
I pyetur nëse dëshiron vërtet të kandidojë për president, Khanna u përgjigj: «Po e mendoj seriozisht dhe pas këtij udhëtimi jam edhe më i vendosur për ta bërë këtë»./ Corriere della Sera