SPORT, 27 Shkurt 2020, 14:30

Trajneri që ka mundur më shumë Realin këtë shekull, Guardiola: I shënuam në momentin e tyre më të mirë

Trajneri që ka mundur më shumë Realin këtë shekull,


Nuk ishte si një “El Clasico”, por për Pep Guardiolën fitorja e djeshme ndaj Real Madrid me Mançester Sitin kishte një shije të veçantë.

Ai u bë trajneri i cili në shekullin e 21-të ka mundur më shpesh Real Madrid, 10 herë, duke u shkëputur nga Valverde dhe Simeone që e ndjekin tashmë me 9 fitore përballë madrilenëve.

“E rëndësishme ishte mënyra se si luajtëm. U munduam të vinim këtu që të fitonim ndeshjen dhe ia dolëm në këtë stadium. Por është vetëm pjesa e parë dhe nëse ka një skuadër që mund të përmbysë situatën, është ky klub.

Padyshim është një rezultat i mirë. sigurisht jam shumë krenar, por është vetëm hapi i parë. kemi edhe një ndeshje tjetër ndaj nuk ka mbaruar asgjë”, tha trajneri I Mançester Sitit.

“Mund të them se kur ishim në momentin më të mirë ne pësuam gol, të cilin nuk duhej ta kishim pësuar, dhe kur ata ishin më mirë ne i shënuam gol.

Kjo është konkurrenca, ky është futbolli. Duhet të përmirësohemi në mënyrë që të mos u dhurojmë golin si ai që pësuam. Por është pjesë e lojës dhe ndoshta në të ardhmen ne do të rritemi”, tha Guardiola.