AKTUALITET, 1 Shkurt 2019, 20:23

Tirana ndal Teutën, durrsakët harrojnë të fitojnë!

Tirana ndal Teutën, durrsakët harrojnë të fitojnë!

Barazimi i tretë radhazi dhe i katërti në pesë ndeshjet e fundit për Teutën që ka harruar të fitojë.

Skuadra e Bledi Shkëmbit u ndal në kryeqytet nga Tirana në barazim 1-1 një rezultat ky nuk u shkon përshtat durrsakëve të cilët humbasin akoma më shumë terren në garën për titull.

Në "Selman Stërmasi" sfida nisi në mënyrë të shkëlqyer për Teutën që zhbllokoi shifrat pa u mbushur ende dy minuta lojë.

Progni shfrytëzoi krosimin perfekt të Frashërit për të mposhtur Abibin dhe për tu dhënë avantazhin djemëve të detit, megjithatë me kalimin e minutave loja e skuadrës së Shkëmbit ra ndjeshëm dhe në sulmin e durrsakëve u ndje mungesa e një bomberi pasi Busic mungonte në këtë sfidë ndërsa Latif është jashtë forme dhe e nisi ndeshjen nga stoli.

Pas 30 minutave të para Tirana filloi të lëvizte më shumë duke e hedhur vështirimin nga porta e Hidit.

Në të 38-ën pas një aksioni model të bardhebluve, Halili dhe Ngoo kombinuan shumë mirë mes tyre brenda zone me sulmuesin anglez që arriti të barazonte shifrat me një goditje fluturimthi.

Tirana vazhdoi të ishte në kërkim të golit të avantazhit por nuk kishte rrezikshmërinë e duhur para portës ndërkohë që Teuta në pjesën e dytë nuk bëri asgjë për ta fituar këtë sfidë.

Përfundoi gjithçka 1-1 me skuadrën e Memës që mori një tjetër rezultat pozitiv që e mban disi të distancuar nga fundi i renditjes edhe pse gjithçka do të varet nga rezultatet që do të regjistrojnë Luftëtari dhe Kamza në sfidat e tyre këtë fundjavë.