IDE, 3 June 2019, 15:16

Tepsia e Edi Ramës

Tepsia e Edi Ramës


Nga Ermal Mulosmani

Një nga shtyllat e fushatës elektorale të fundit të Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Edi Rama, ka qenë “Nuk drejtohet makina me dy shoferë”.  “Më jepni atë të shkretë Timon dhe do të shihni se çfarë do të bëj”- deklaronte nëpër mitingje elektorale apo studio televizive. Madje, drejtuesi i emisionit “Zonë e Lirë”, në mënyrë figurative, zgjodhi t’i dhuronte një Timon butaforik, në studio që t’i hiqte fiksimin.

Ironia e gjithë kësaj pune është se Kryeministri nuk ka patentë shoferi.

Ndjehej bezdia e Kryeministrit nga bashkëqeverisja me zotin Ilir Meta, megjithëse vetëm pak ditë më parë e kishte votuar si President të Republikës. Votimi i Presidentit të ri ishte kaq kontrandiktor me fushatën e zotit Kryeministër. Ndërkohë që nuk e donte në Qeveri, zgjodhi t’a kishte President!

Kjo spjegohej vetëm me nënçmimin e postit të Presidentit. Eleminimi i rolit të zotit Meta nga Opozita e ardhshme, duke e degdisur në sarajet pa vlerë të Presidencës, ishte e menduar mirë. “Le të rrijë atje e të japë ca dekorata-qoka ndërkohë që vuan pushtetin absolut timin”- ishte kuptimi i vetëm që mund t’i jepej atij vendimi.

Në Korrik 2017, Kryeministri e mori Timonin e shumëdëshiruar!

“Tepsinë” që shau nga mëngjesi në darkë në “mexhlisin” popullor ku argëtonte gratë duke ua sharë burrat, tashmë e kishte të gjithën për vete. Por, si “liberal” që është vendosi ta ndajë me Popullin.

Nxori teorinë “Bashkëqeverisja me Popullin”! Një term tipik komunist i kohëve të shkuara “Ç’don Populli bën Partia”, një spekulim arrogant me emrin e Popullit. Partia e shkuar edhe kur arrestonte në dy të natës thoshte “Në emër të popullit je i arrestuar”! Derisa një ditë dikush u tha policëve “Lëre popullin në punë të vet se Ai po flen gjumë”!

Krijoi Portalin “Shqipëria që duam”. Aty mund të ankohemi të gjithë për hallet që kemi. Jo nëpër drejtori-ra, bashki-ra, ministri-ra, nëpunësa, shefa etj etj. Këta janë vetëm ca zyra të shkallës së parë për tu ngjitur në majën e majës, Portalin “Shqipëria që duam”!

Portali u shndërrua si punë vakëf-i, farë vendi i shenjtë.

Po u ngjite aty, në Olimpin e bashkëqeverisjes,  hallin e ke të zgjidhur. Vetë Kryeministri, vazhdimisht, organizon konferenca shtypi, ku, hallexhinj na tregojnë sesi halli është zgjidhur, si me magji, sapo shkruan në tempullin e së vërtetës.

Pra, pasi hoqi Ilir Metën dhe shpurën e tij, Kryeministri vendosi të eleminonte edhe hallkat e tjera absurde, vartësit e tij!

Do komunikonte vetë me Popullin, i eleminoi ndërmjetësat, Minsitrat, Drejtorët, Shefat etj etj. Nga maja e Olimpit ai emëronte apo shkarkonte “live”, Drejtorë apo Ministra. Siç ishte rasti i Janarit të këtij viti kur shkarkoi 8 Ministra që idenë nuk e kishin se pse u shkarkuan. Janë legjendare lotët e Ministrave, ca nga gëzimi që po emëroheshin e të tjerë nga dëshpërimi që po largoheshin, pa ditur asgjë deri në sekondën kur nga goja e Kryeministrit doli emri i tyre! Dhe kamerat e ERTV-së, të lajmëruara qysh më parë, kujdeseshin që “dhuna psikologjike” të dilte në ekran. Të gjithë tani jemi të qartë, në këtë vend nuk ka të dytë, ka vetëm Edi Ramën dhe Popullin!

Për ca kohë u krijua përshtypja që një grup anti-Ramë po formësohej brenda Partisë Socialiste. Me në krye Erion Velinë, Kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Por mjafton një shikim vëngër i Kryeministrit që ky grup të tmerrohet si Beria nga vështrimi i Stalinit të shtrirë në shtratin e vdekjes!

Kreativiteti i Kryetarit të Bashkisë shkoi përpara nga ky vështrim. Slloganin e Opozitës “Rama ik”, Veliaj e transformoi “Rama ik përpara”!

Zeusi nënqeshi lehtë. As qeshje të plotë nuk meritoi gjithë ajo përpjekje.

Oreksi vjen duke ngrënë. Pasi e mori gjithë Tepsinë, Kryeministri nuk mendoi për asnjë çast se “Sa shumë pushtet kam marrë”, por, “çfarë më ka mbetë pa marrë”. Gjykatat e Prokuroritë i rregulloi me Vettingun. Gjeti aty ca sejmenë me cene që morën përsipër ta linin vendin pa Gjykatë Kasacioni (Gjykatë Supreme) dhe Gjykatë Kushtetuese.

Në fakt, ç’i duhet këtij farë vendi Gjykata Supreme  kur ka Vakëfin “Shqipëria që duam”! Ato 40 mijë dosje që flenë aty, le të shkruajnë në Portal dhe, ja, u zgjidh kjo çështje!

Kryeministri vuri re që Populli sheh edhe sport, sidomos futboll! Kombëtaren e paska me qejf, ndaj duhej bërë diçka edhe këtu. Hajt tha me vete, po u çoj Finon aty dhe e rregullioj atë punë. Por dolën ca budallenj që nuk e votuan!

Vendosi të marrë vetë edhe frenat e futbollit! Sapo Kombëtarja humbi një ndeshje në Shkodër, Kryeministri ynë, dora vetë, shkoi e trokiti në dhomën e hotelit të Edi Reja-s:

“Më telefonoi gjithashtu edhe Kryeministri Edi Rama. E takova atë në hotelin tim pranë “Ponte Milvio”-s, Ai erdhi për të parë Lacion, është tifoz i madh i Juventusit. Më kishte thirrur që të më bindte”.

Kështu rrëfen trajneri ynë i Kombëtares.  Se ç’punë ka Kryeministri me trajnerin e Kombëtares, këtë nuk e sqaroi askush.

Në emër të Popullit, sigurisht. Federata le të rrijë aty ku është, boll livadhisën.

Dy ekipeve kryesore të Superligës u dha dy njerëz të përkushtuar, Partizanit i dha vëllanë e vetëm, Kukësit i dha Gjicin që siguron grabitjen e parave të Bankave. Më falni, mosgrabitjen se e ngatërrova…

Çfarë të bëjë më shumë?!

Tani po përpiqet të vëjë rregull edhe në këto 61 Bashki që kanë mbetë keq. Me ndihmën e Bashës edhe kjo gjë po bëhet e mundur shyqyr Zotit!

Gradualisht do rregullojmë edhe Kosovën… Me Hashimin përditë po përpiqemi…

Ditë të bardha na presin.

Gazeta Express