AKTUALITET, 23 October 2026, 11:21

Tabaku: Qeveria mbron investimet strategjike edhe në ligjin e ri

Tabaku: Qeveria  mbron investimet strategjike edhe në ligjin e ri

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar projektligjin e ri për investimet, të hedhur për konsultim publik nga qeveria. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, ajo shprehet se propozimi ndryshon emërtimin e investimeve strategjike, por ruan mekanizmat dhe përfitimet që, sipas saj, kanë favorizuar miqtë e pushtetit.

“Të njëjtat zakone, por me emër të ri. Të njëjtat mekanizma, por tashmë me një emër të ri”, deklaron Tabaku, duke e cilësuar ligjin ekzistues të investimeve strategjike si “ligji i qokave për miqtë e qeverisë”.

Sipas deputetes demokrate, projektligji nuk sjell ndryshim në thelb. Ajo argumenton se, përmes emërtimit “Zona të Zhvillimit Prioritar”, propozimi ruan mundësinë e përfitimit të pronave dhe aseteve publike, trajtimin e veçantë, uljen e taksave dhe favoret e parashikuara për investimet strategjike.

“Investimet strategjike do të vazhdojnë, por kësaj radhe do të jenë me një emër të ri, me të njëjtin mekanizëm, me të njëjtat favore”, shprehet Tabaku.

Tabaku: Qeveria  mbron investimet strategjike edhe në ligjin e ri

Në analizën e saj, deputetja ngre shqetësimin se ky mekanizëm do të shtrihet edhe në bregdet, duke vijuar praktikën që ajo ka kundërshtuar në zbatimin e ligjit aktual.

Tabaku e lidh kritikën edhe me angazhimet e qeverisë përpara Komisionit Europian. Sipas saj, ndryshimi i emrit, ndërkohë që ruhen mekanizmat e ligjit, nuk përmbush premtimin për ndryshimin e tij dhe përbën një përpjekje për të paraqitur si reformë vazhdimin e së njëjtës praktikë.

Ajo kujton se ligji është shtyrë gjashtë herë dhe ndryshuar nëntë herë, ndërsa thekson se duhej të ishte pezulluar. Për Tabakun, propozimi i ri ruan thelbin e skemës së investimeve strategjike, pavarësisht emërtimit të ri.

Postimi i plotë

Ligji i Investimeve Strategjike, ose siç e njohim të gjithë, “ligji i qokave për miqtë e qeverisë”, megjithëse po i ndryshojnë emrin dhe po bëjnë një projektligj të ri, vazhdon të ruajë të njëjtin mekanizëm.

Të njëjtat zakone, por me emër të ri. Të njëjtat mekanizma, por tashmë me një emër të ri.

Projektligji për investimet, që qeveria ka nxjerrë për konsultim dhe që përfshin edhe investimet strategjike, nuk ka asnjë ndryshim në thelb nga ligji që është sot.

Do t’i quajnë tashmë “Zona të Zhvillimit Prioritar”, në vend të investimeve strategjike. Përfituesit marrin pronat publike dhe asetet, marrin statusin e veçantë të trajtimit, marrin uljen e taksave dhe çdo favor që kanë përfituesit e investimeve strategjike.

Koncepti, sigurisht, do të shtrihet edhe në bregdet, sepse nuk ka mundësi që këta t’i kenë mbyllur investimet strategjike në bregdet.

Është pikërisht ai ligj që i premtuan Komisionit Europian se do ta ndryshonin. Ai ligj që e shtynë gjashtë herë, e ndryshuan nëntë herë dhe që duhej patjetër ta kishin pezulluar, sot vjen me një emër të ri.

Investimet strategjike do të vazhdojnë, por kësaj radhe do të jenë me një emër të ri, me të njëjtin mekanizëm, me të njëjtat favore.