SPORT, 17 Nëntor 2021, 10:21

Ksavi u prish punë Interit, Barcelona futet në garë për objektivin e madh të zikaltërve

Ksavi u prish punë Interit, Barcelona futet në garë për

Andre Onana është kthyer në objektiv për shumë klube europiane, por Interi ka qenë në krye të listës për shumë kohë, aq sa transferimi i tij te zikaltrit është bërë i sigurt.

Portierit i skadon kontrata aktuale me Ajaksin në qershor, duke e bërë një opsion të favorshëm jo vetëm nga ana futbollistike, por edhe ajo ekonomike.

Pas janarit, 25-vjeçarit i lejohet të firmosë me çdo klub dhe në shkurt është programuar të vijë edhe firmosja e kontratës së re me Interin, që do ta mbajë lidhur për 4 vite me italianët, për të cilët ka refuzuar çdo klub tjetër.

Por, në rrugën e Interit ka dalë një tjetër pengesë dhe bëhet fjalë për Barcelonën që ka hyrë në garë për futbollistin, duke ua vështirësuar punën milanezëve.

Spanjollët, ndryshe nga skuadrat e tjera, janë një pistë joshëse për Onanën, jo vetëm për faktin se është rritur në akademinë e tyre, por mbi të gjitha për faktin se në krye të tyre ka ardhur Ksavi, legjendë e “Blaugranave” që premton t’i rikthejë lavdinë Barcelonës.

Në rast të një propozimi zyrtar, katalanasit mund t’u prishin punë zikaltërve, të cilët prej kohësh janë shprehur se Handanoviç nuk është më në planet e tyre dhe do t’ia besojnë portën gardianit kamerunas.