AKTUALITET, 17 Korrik 2021, 08:38

Sot PD mbledh Kuvendin Kombëtar! 7000 delegatë do të zgjedhin 300 anëtarët e Këshillit Kombëtar

Sot PD mbledh Kuvendin Kombëtar! 7000 delegatë do të zgjedhin 300


Partia Demokratike do të mbledhë ditën e sotme organin më të lartë vendimmarrës të saj, Kuvendin Kombëtar. Nisja do të bëhet në orën 11:00, ku fjalën i pari do e marrë kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili do t’i drejtohet demokratëve me mesazhin e tij politik.

Pas tij, do të jenë 19 drejtuesit politik të PD që do të mbajnë para anëtarëve të Kuvendit fjalimet e tyre. Kryefjala e këtyre fjalimeve do të jetë analiza e zgjedhjeve të 25 prillit, si dhe do të paraqitet për votim raporti përmbledhës me 13 përfundime, që kryesia kaloi të enjten mes debatesh të shumta.

Ditën e sotme pritet të marrin pëlqimin edhe 11 propozimet Lulzim Bashës për ndryshime në statut. Në propozimet e tij Basha kërkoi zgjerim të kryesisë, shtim të sekretariateve, kalimin e kompetencës për të vendosur mbi marrëveshjet politike dhe koalicionet nga Kryesia te Këshilli Kombëtar, teksa ka kërkuar të sanksionohet në statut edhe ngritja e një strukture të re vendore Këshilli Koordinues i Qarkut, i drejtuar nga Drejtuesit Politikë dhe që do të funksionojë me mandat të plotë.

Kryetarët dhe sekretarët e seksioneve të Partisë Demokratike dhe sekretarët e atyre seksioneve, të grupseksioneve, Anëtarët e kryesive të degëve, anëtarët e Bordit të Këshilltarëve të degëve, anëtarët e Këshillit Kombëtar aktual, deputetët, Sekretarët funksionalë, koordinatorët, ish kryetarët e Bashkive dhe përfaqësuesit e FRPD e LDG që përbëjnë këtë organ, do të votojnë përgjatë ditës së sotme mes 600 kandidaturash të propozuara nga Lulzim Basha, për Këshillin e ri Kombëtar 300 prej tyre, deri në orën 18:00 ndërsa pas mbylljes së votimit, kutitë do të transferohen në selinë blu. Ditën e nesërme do të mësohet edhe se cilët do të jenë anëtarët e Këshillit të ri.