BOTA, 25 August 2026, 20:55

Shoferi i dehur përplas këmbësorë dhe policë në Portugali, raportohen 12 të plagosur (Video)

Një aksident i rëndë ka ndodhur në orët e para të së martës në zonën Oura të Albufeira, në Algarve të Portugalisë, ku një shofer i dehur ka përplasur me automjetin e tij disa këmbësorë dhe efektivë policie.

Sipas raportimeve nga mediat e huaja, ngjarja ndodhi rreth orës 03:00 në rrugën Francisco Sá Carneiro, e cila në atë moment ishte e mbyllur për qarkullimin e automjeteve.

Sipas autoriteteve, automjeti ishte i parkuar në rrugë kur drejtuesi nisi të lëvizte. Efektivët që ndodheshin në vendngjarje i kërkuan të ndalonte, por ai nuk iu bind urdhrit.

Policia i kërkoi sërish të ndalonte, por shoferi vazhdoi të lëvizte në drejtim të këmbësorëve dhe efektivëve, duke përplasur dhe zvarritur disa persona.

Në përpjekje për t’u larguar nga vendngjarja, automjeti u përplas edhe me një makinë tjetër. Shoferi e braktisi mjetin dhe tentoi të arratisej në këmbë, por u kap pak më vonë nga efektivët e Ekipit të Ndërhyrjes së Rendit të GNR-së.

Si pasojë e incidentit, 12 persona mbetën të plagosur, mes tyre edhe dy efektivë policie. Njëri prej të plagosurve ndodhet në spital në gjendje të rëndë.

Pas arrestimit, drejtuesi i automjetit iu nënshtrua testit të alkoolit, i cili rezultoi pozitiv. Sipas autoriteteve, ai kishte 1.29 gramë alkool për litër gjak. Atij iu kryen gjithashtu edhe analiza toksikologjike.

Ndaj shoferit janë ngritur akuza për shkaktim të lëndimeve të rënda trupore, drejtim të mjetit nën ndikimin e alkoolit dhe drejtim të rrezikshëm të automjetit.

Të gjithë të plagosurit morën ndihmën e parë mjekësore pas ngjarjes.