TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Hajdutët e veprave të artit në Europë po i drejtohen gjithnjë e më shumë grabitjeve të dhunshme, duke vënë në shënjestër arin dhe bizhuteritë, ndërsa bandat e specializuara në këto lloj krimesh po zëvendësohen nga persona të rekrutuar përmes rrjeteve sociale.
Kështu bëhet e ditur në një raport të publikuar nga Europol, Agjencia e Bashkimit Europian për Bashkëpunimin në Fushën e Zbatimit të Ligjit. Sipas Europol, grabitja spektakolare në Muzeun e Luvrit në Paris, në tetor të vitit të kaluar, është një shembull karakteristik i këtij ndryshimi. Autorët kërcënuan rojet dhe vizitorët dhe arritën të vidhnin bizhuteri me vlerë rreth 88 milionë euro, mes tyre edhe kurorën e perandoreshës Eugenia.
Gjatë dy viteve të fundit, hajdutët e veprave të artit kanë zhvendosur vëmendjen drejt metaleve të çmuara, bizhuterive dhe objekteve kulturore që mund të sjellin fitime më të mëdha, thekson raporti. Ndryshimi i objektivave lidhet edhe me rritjen e ndjeshme të vlerës së arit. Çmimi i metalit të çmuar është rritur me 85% gjatë dy viteve të fundit, ndërsa investitorët dhe bankat qendrore po i drejtohen arit si një aset të sigurt.
Shoqata e Tregut të Arit në Londër (London Bullion Market Association), e cila mbikëqyr tregun jashtë bursës së arit në Londër, ka paralajmëruar se rritja e çmimeve në nivele rekord shoqërohet edhe me shtimin e trafikimit të paligjshëm dhe deformimeve të tregut. Ndërkohë, Europol thekson se autorët e grabitjeve po përdorin gjithnjë e më shumë forcën për të hyrë në hapësira të mbrojtura dhe për të thyer vitrinat, duke përdorur mjete të rënda si vare, sëpata, leva dhe, në disa raste, edhe eksplozivë.
Nga bandat e organizuara te “krimi si shërbim”
Sipas Europol, mënyra e organizimit të këtyre grabitjeve ka ndryshuar ndjeshëm. Në të kaluarën, bandat tradicionale mbështeteshin te dinakëria dhe fshehtësia, kishin një drejtues qendror dhe anëtarë me përvojë të specializuar në vjedhjen e veprave të artit.
Ndërsa grabitjet e kohëve të fundit janë kryer nga grupe më të decentralizuara dhe të përkohshme, të përbëra nga persona që kërkojnë fitim dhe që rekrutohen përmes rrjeteve sociale.
Europol e përshkruan këtë model si “krim si shërbim”, ku individë të ndryshëm bashkohen për një grabitje specifike dhe më pas shpërndahen.
Raporti nënvizon se objektivi kryesor i grabitësve po bëhen gjithnjë e më shumë objektet prej ari, nga copëzat e arit dhe monedhat, deri te bizhuteritë.
Një prej arsyeve është se metalet e çmuara mund të shkrihen lehtësisht, duke e bërë shumë më të vështirë gjurmimin e tyre nga autoritetet dhe shitjen e tyre në mënyrë të paligjshme. Edhe gurët e çmuar mund të hiqen nga bizhuteritë dhe të shiten veçmas.
Në janar të vitit të kaluar, grabitësit përdorën eksplozivë për të vjedhur një përkrenare ari 2,500-vjeçare dhe tre byzylykë të lashtë prej ari nga një muze në Holandë.
Objektet u gjetën më vonë dhe iu kthyen Rumanisë, megjithëse njëri prej byzylykëve ende nuk është gjetur. Europol ka evidentuar gjithashtu një rritje të vjedhjeve të objekteve të lashta kineze prej porcelani, përfshirë vazo të dinastisë Ming, për shkak të kërkesës së lartë në treg.