TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Qeveria planifikon të forcojnë kontrollin teknik periodik dhe inspektimet në rrugë, pasi Strategjia Kombëtare për Sigurinë Rrugore vëren se “një numër i konsiderueshëm i mjeteve” nuk u nënshtrohen kontrolleve vjetore.
Masat janë pjesë e planit të veprimit të strategjisë dhe synojnë të rrisin verifikimin e gjendjes teknike të automjeteve që qarkullojnë në rrjetin rrugor.
Dokumenti parashikon përmirësimin e sistemit të kontrollit teknik periodik dhe forcimin e kontrolleve të kryera në rrugë nga Policia Rrugore dhe Task-Forca. Për periudhën 2028–2029 parashikohen inspektime të përbashkëta dhe monitorimi i përqindjes së automjeteve që rezultojnë me mangësi teknike.
Strategjia kërkon gjithashtu përafrimin e procedurave shqiptare me kërkesat e Bashkimit Evropian për kontrollet teknike periodike dhe inspektimet rrugore.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor do të monitorojë “përqindjen e automjeteve që marrin rezultat negativ në kontrollin teknik”, sipas dokumentit.
Masat përfshijnë edhe automjetet e specializuara, përfshirë mjetet që transportojnë mallra të rrezikshme.
Në një masë të veçantë për transportin e rëndë, plani parashikon krijimin e “4 vendeve të sigurta për kontrollin e mjeteve të rënda”, ku do të verifikohen pesha dhe shpejtësia.
Autoriteti Rrugor Shqiptar do të jetë përgjegjës për caktimin dhe rregullimin e këtyre pikave, në bashkëpunim me Policinë Rrugore dhe Task-Forcën. Strategjia e lidh kontrollin e peshës së mjeteve të rënda me “mbrojtjen e investimeve publike”, përmirësimin e sigurisë rrugore, transportin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e mjedisit. /Monitor.al/