BOTA, 16 September 2026, 18:58

SHBA: Rusia po planifikon vrasjen e personave të lidhur me Ukrainën. Moska: Pa prova, s’ka koment

Departamenti Amerikan i Drejtësisë (DoJ) ka akuzuar Rusinë për komplot për të vrarë aleatët ukrainas në SHBA dhe Evropë. Në një deklaratë, Departamenti i Drejtësisë ngriti akuza për pesë burra që dyshohet se kanë lidhje me Shërbimet e Inteligjencës Ruse (RIS). Ato akuzohen se kanë paguar ose janë përpjekur të paguajnë njerëz në SHBA dhe jashtë vendit për të synuar ata që janë “të lidhur ose të perceptuar si të lidhur me Ukrainën”.

“Është detyra jonë t’i ndalojmë kundërshtarët e Amerikës të shpërthejnë dhunë dhe terror në tokën amerikane”, tha Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanche. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Moska nuk do të komentojë derisa të dëgjojë ose të shohë “ndonjë provë të besueshme” ose “fakte të prekshme”.

Tre nga të pandehurit janë “anëtarë të rangut të lartë të rrjetit RIS”, tha Departamenti i Drejtësisë. Midis tyre janë babë e bir nga Rusia, Yuri Khrameev, 63 vjeç, dhe Kirill Khrameev, 27 vjeç. 63-vjeçari ishte kolonel në shërbimet e inteligjencës ruse dhe djali i tij është oficer në Shërbimin Federal të Sigurisë të Rusisë (FSB).

I dyshuari i tretë i rangut të lartë është Oemis Romagoza Durruthy, një shtetas kubanez 35-vjeçar, të cilin SHBA-të e përshkruajnë si “një anëtar me ndikim të diasporës kubaneze që jeton në Rusi, i cili ka koordinuar sulme për rrjetin RIS”. Yaidel Delgado Suarez, 35 vjeç, dhe Angel Eduardo Castro, 22 vjeç, janë dy të pandehurit e tjerë.