BOTA, 16 September 2026, 22:36

Rutte: NATO po përballet me mjedisin më të rrezikshëm dhe kompleks të sigurisë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka paralajmëruar se Aleanca përballet me “mjedisin më të rrezikshëm dhe kompleks të sigurisë”, duke u bërë thirrje Britanisë së Madhe dhe vendeve evropiane të rrisin kontributin e tyre në mbrojtjen e përbashkët.

Gjatë vizitës në Britaninë e Madhe, Rutte tha se NATO-ja ka nevojë për “më shumë BM dhe më shumë Evropë” për t’u përballur me pasigurinë e re gjeopolitike, sipas “The Guardian”.

“Është thelbësore që forcat tuaja të armatosura të vazhdojnë të ofrojnë fuqinë ushtarake që i nevojitet NATO-s”, deklaroi Rutte gjatë një fjalimi në Ditchley Park, në Oxfordshire.

Sipas tij, vendet evropiane duhet të investojnë më shumë në mbrojtje, në mënyrë që NATO-ja të ketë kapacitetet e nevojshme ushtarake për të përmbushur detyrimet e saj.

Rutte tha se për një kohë të gjatë në Evropë kishte ekzistuar supozimi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të siguronin gjithmonë pjesën më të madhe të fuqisë ushtarake dhe do të përballonin pjesën kryesore të kostove të mbrojtjes.

Ai iu referua gjithashtu marrëveshjes së arritur në samitin e NATO-s në Hagë në vitin 2025, ku vendet anëtare ranë dakord të rrisin shpenzimet për mbrojtjen.

Sipas Rutte-s, ndër faktorët që kanë ndryshuar situatën e sigurisë janë lufta e Rusisë kundër Ukrainës, terrorizmi, Irani, si dhe ndryshimet e mëdha në konkurrencën gjeopolitike globale.

Rutte theksoi se nevojiten investime më të mëdha në mbrojtje, pasi në të kundërt, “mbrojtja jonë kolektive nuk do të jetë e besueshme”.

Ai nënvizoi se Britania e Madhe ka një rol qendror në ndërtimin e një Evrope më të fortë, brenda një NATO-je më të fortë.