AKTUALITET, 8 September 2026, 14:34

Ratko Mladiç varroset me nderime në Serbi, Spiropali shpërthen ndaj Beogradit: Turp rrëqethës, s’mund të na japë leksione për ish-krerët e UÇK-së

Deputetja socialiste dhe ish-ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, e ka quajtuar turp me përmasa rrëqethëse varrosjen me nderime ushtarake dhe shtetërore që Serbia i bëri dje Ratko Mladiç, të dënuarit nga Haga me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, 

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spiropali shprehet se Serbia dje nuk varrosi vetëm organizatorin e gjenocidit në Srebrenicë, por “varrosi edhe turpin e vet duke nderuar krimet”. Ish-ministrja thekson se Beogradi nuk ka autoritet moral, as juridik, të na japë leksione për gjykimin e 4 ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, vendimi për të cilët pritet pas 8 ditësh.

Postimi i plotë i Elisë Spiropalit:

Dje Beogradi u shndërrua në vend pelegrinazhi për të nderuar një turp dhe krim me përmasa rrëqethëse.

Mijëra njerëz, ministra, ushtarakë dhe klerikë u mblodhën për ta përcjellë si hero kriminelin Ratko Mladiç. Trupi iu soll me aeroplan qeveritar, arkivoli iu mbulua me flamuj, nderimet ushtarake iu kushtuan një të dënuari me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

 
Mladiçi nuk ishte viktimë e asnjë padrejtësie. Ishte organizatori i gjenocidit në Srebrenicë dhe i rrethimit të Sarajevës. Ai u fsheh për gjashtëmbëdhjetë vjet nga drejtësia. Serbia “e gjeti” vetëm pasi nuk mundi ta fshihte më, ndërsa sot po e varros si të ishte ajo viktima dhe jo mijëra njerëzit që mbetën në varre pa emër, për shkak të saj.

Pas tetë ditësh, në Hagë do të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ata nuk u fshehën nga drejtësia, nuk u arrestuan pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh arrati dhe nuk po gjykohen për gjenocid.

Serbia zyrtare nuk ka autoritet moral, as juridik, të na japë leksione për drejtësinë. Nuk mund ta kthesh një të dënuar për gjenocid në shenjtor kombëtar dhe, në të njëjtën frymë, të kërkosh dënimin e njerëzve ndaj të cilëve ende nuk është shqiptuar vendimi i parë.

Një shoqëri nuk gjykohet vetëm nga kriminelët që ka prodhuar. Gjykimi i saj i vërtetë fillon kur faktet janë provuar dhe ajo duhet të vendosë nëse do vajtojë viktimat apo do adhurojë vrasësit.

Serbia dje e bëri zgjedhjen e saj.

Ajo nuk varrosi vetëm Ratko Mladiçin.

Varrosi edhe turpin e vet duke nderuar krimet.