TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka për qëllim të nënshtrojë dhe vërë në pozita inferiore avokatët gjatë mbrojtjes së të pandehurve në proceset gjyqësore. Kështu shprehet kryetari i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia.
Në një deklaratë për mediat, Haxhia deklaroi se rregullorja e re e GJKKO-së është jashtë çdo limiti të masave që mund të marrë një gjykatë për të siguruar mbarëvajtjen e proceseve gjyqësore, pasi bie ndesh jo vetëm me Kushtetutën, por edhe me konventat ndërkombëtare.
“Bie ndesh jo vetëm me kërkesat e dispozitave kushtetuese, me Konventën Evropiane të Drejtave të Njeriut dhe me praktikën e Gjykatës së Strasburgut, me konventën e fundit fare të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e profesionit të avokatit, e cila është e firmosur nga Ministri i Drejtësisë në qershor të këtij viti, bie ndesh me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, nenin 339, nenin 340 dhe nenin 341 për menaxhimin, administrimin e seancave gjyqësore ku përshkruhen hollësisht dhe titullari i seancës me të drejtat dhe kompetencat që ai ka për të ndërhyrë ku shkelen solemniteti, siguria dhe mbarëvajtja e këtyre seancave”, tha ai.
Kreu i Dhomës së Avokatisë tha për mediat se i është drejtuar GJKKO-së me një kërkesë për rishikimin e rregullores, por që sipas tij, deri tani përgjigjja e vetme që ka marrë është heshtja. Me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme, Haxhia tha se ka kërkuar edhe një takim me kryetarin e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
“I kemi dërguar letër GJKKO-së, ku i kemi kërkuar rishikimin e rregullores dhe deri më sot, që është data 8, nuk kemi asnjë reagim nga ky institucion. Të paktën të thotë që e morëm kërkesën. Gjë që tregon mungesë respekti institucional dhe na konfirmon në vazhdimësi trajtimin që u bëjnë avokatëve gjatë ushtrimit të profesionit të tyre”, tha ai.
“I kam kërkuar kreut të KLGJ-së një takim urgjent për këtë masë dhe më është komunikuar që ky Këshill nuk mblidhet para datës 15. Ne insistojmë që duhet ta bëjmë këtë takim”, tha ai.
Sipas Haxhisë, ndalimi i celularit “konfirmon trajtimin e diferencuar që i bëhet avokatisë në raport me organin e akuzës”.