TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ndërsa qeveria ka vendosur të lehtësojë masat dhe katër bashki të qarkut të Elbasanit tashmë janë zona të gjelbërta, dy raste të reja me Covid 19-të janë regjistruar në qytetin e Elbasanit. Rasti i parë i takon një 50-vjeçari banues në Mengël dhe i dyti një 84-vjeçari në lagjen '5 Maji'.
Për herë të parë koronavirusi del përtej qytetit të Elbasanit.
Një 50-vjeçar banues në Mengël, njësia administrative Labinot-Fushë ka rezultuar pozitiv, ndërsa tamponët e marrë bashkëshortes dhe djalit të tij kanë ardhur negativ.
Sipas burimeve, 50-vjeçari është shofer i një kompanie ndërtimi në qytetin e Elbasanit, por operon edhe përtej qytetit.
Rasti i ri ka shqetësuar banorët aty pranë, pasi vetëm të mërkurën e shkuar vëllai i 50-vjeçarit ndërroi jetë pasi u gjet i vetëvarur në banesën e tij nga familjarët dhe banorët mësohet se kanë marrë pjesë masivisht në ceremoninë mortore. Një fakt të tillë e konfirmojnë vetë banorët.
Rasti i dytë i konfirmuar pozitiv është ai i një 84-vjeçari banues në lagjen '5 Maji', ose e njohur ndryshe Rrapishtë. Sipas burimeve, të parët që kanë shfaqur probleme kanë qenë nipërit e të moshuarit, të cilët kanë marrë mjekim në pediatrinë e qytetit, pasi shfaqën problem me diarrenë. Teksa mjekët i rekomanduan të shkojnë në shtëpi, hetimi epidemiologjik ka shkuar në banesë ku jetojnë 7 anëtarë dhe i kanë marrë tamponë familjes.
Përgjigjet sot kanë ardhur pozitive për të moshuarin, ndonëse nuk ka shfaqur simpoma, ndërsa për anëtarët e tjerë pritet të vijnë ditën e nesërme. Është i paqartë fakti se ku mund ta ketë marrë familja virusin, ndonëse dyshimet e para të çojnë te kryefamiljari, i cili edhe këto ditë ka punuar në ndërtim.
Fatmirësisht të dyja rastet e reja nuk paraqesin rrezikshmëri, pasi si 50-vjeçari, por edhe i moshuari nuk kanë simptoma serioze, veçse pak temperature, ndaj janë të izoluar në shtëpi. Me t'u konstatuar rastet e reja është bërë dezinfektimi i të dyja banesave, të cilat tashmë konsiderohen vatra të reja.
Me dy rastet e sotme numri i të infektuarve në Elbasan ka shkuar në 20, por fatmirësisht 16 janë shëruar.