AKTUALITET, 5 Shtator 2019, 13:29

Raporti i OSBE/ODHIR nxjerr blof komisionin anti Meta

Raporti i OSBE/ODHIR nxjerr blof komisionin anti Meta


Raport i OSBE ODHIR theksoi edhe njëherë se Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucion që mund të shprehet për kushtetutshmërinë e dekreteve presidenciale për zgjedhjet duke hedhur poshtë gjithë pretendimet e socialistëve që kanë ngritur komisionin parlamentar për shkarkimin e Metës.

“Paqartësitë ndërmjet institucioneve kryesore minuan besimin e publikut në ligjshmërinë e zgjedhjeve.

Paqartësia u shtua më tej me mosmarrëveshjen ndërmjet aktorëve zgjedhorë në lidhje me ndarjen e përgjegjësisë ndërmjet Gjykatës Kushtetuese, si i vetmi organ që mund të vendosë mbi kushtetutshmërinë e dekretit të Presidentit, dhe Kolegjit Zgjedhor i cili ka mandat të mbikqyrë ligjshmërinë e procesit zgjedhor.

Gjykata Kushtetuese është përkohësisht jashtë funksionit si pasojë e procesit të rivlerësimit të magjistratëve në Shqipëri” thuhet në raport.

Aty kritikohet vendimi i Kolegjit Zgjedhor, i cili e konsideroi dekretin e Presidentit të paligjshëm. Sipas raportit gjyqtarët që morën vendimin ka qenë të ndikuar nga procesi i vetingut duke cenuar pavarësinë e kësaj gjykate.

“Ndërsa gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor gëzojnë imunitet dhe nuk i nënshtrohen procedurave disiplinore gjatë gjithë afatit për të cilin Kolegji funksionon, ata i nënshtrohen “procesit të vettingut” në vazhdim, i cili mund të ndikojë në sigurinë e mandatit të tyre dhe në këtë mënyrë të mund të ndikojë në pavarësinë e tyre” shkruhet në raport.

Madje nëse bëhet fjalë për shkelje antiligjore ato i ka bërë mazhoranca e cila sipas raportit nuk ma pranuar ta botojë në fletoren zyrtare dekretet presidenciale.

“Më 27 qershor, Presidenti Meta shpalli një dekret tjetër, duke caktuar 13 tetor 2019 si datën e zgjedhjeve lokale. Gjatë kësaj kohe, KQZ vazhdoi përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor.

Ndryshe nga dekreti i 10 qershorit, dekreti i 27 qershorit mbeti i pabotuar në Fletoren Zyrtare, megjithëse botimi i akteve të nxjerra nga Presidenti kërkohet nga ligji” nënvizohet aty.

Pra nëse rilindja ka nisur një procedurë për shkarkimin e kreut të shtetit me premisën se ai ka vepruar në kundërshtim me kushtetutën, raporti thekson se askush përpos Gjykatës Kushtetuese që mungon nuk ka tagër të gjykojë mbi këtë, duke e nxjerrë blof komisionin propagandistik që vazhdon punën në parlament.