AKTUALITET, 11 September 2026, 09:53

'11 shtatori'/ 25 vjet nga sulmet terroriste në SHBA, Begaj: Amerika, ky komb i madh e i fortë i tregoi botës se nuk mposhtet nga asgjë

Sot bëhen 25 vjet nga sulmi terrorist mbi kullat binjake, në zemër të New York-ut. Në një reagim në rrjetet sociale, Presidenti Bajram Begaj shprehu ngushëllimet dhe solidaritetin me familjet dhe të afërmit e viktimave.

“Ka kaluar një çerek shekulli, por për Amerikën, ne dhe aleatët tanë, më të cilët ndajmë të njëjtat vlera, 11 shtatori është aty si një kujtesë kolektive që ka riformësuar jetët tona me dëshminë se ideologjitë urrejtëse sjellin pasoja të tmerrshme.

Gjatë këtyre viteve, Amerika, ky komb i madh e i fortë, i tregoi botës se nuk mposhtet nga asgjë.”, shkroi Presidenti.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha përmes një reagimi në rrjetet sociale, thekson se 11 shtatori është një ditë që bota nuk do ta harrojë kurrë.

“Dhimbja e asaj dite u ndje shumë përtej brigjeve të Shteteve të Bashkuara. Ajo u ndje thellë edhe në Shqipëri”, u shpreh Hoxha.
Më 11 shtator 2001, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u goditën nga një seri sulmesh terroriste që tronditën jo vetëm vendin, por mbarë botën. Katër avionë pasagjerësh u rrëmbyen nga 19 terroristë të lidhur me rrjetin al-Kaida. Dy prej avionëve u përplasën me kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, ndërsa një avion i tretë goditi Pentagonin, selinë e Departamentit amerikan të Mbrojtjes.

Avioni i katërt, United Airlines Flight 93, u rrëzua në një fushë pranë Shanksville, në Pensilvani. Pasagjerët dhe ekuipazhi kishin tentuar të rimerrnin kontrollin e avionit nga rrëmbyesit, duke penguar që ai të arrinte objektivin e tij. Pamjet e sulmeve në Nju Jork u transmetuan drejtpërdrejt në televizionet e të gjithë botës. 

Nga sulmet, gjetën vdekjen rreth 3 mijë vetë. 184 persona u vranë në Pentagon atë ditë përfshirë 59 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit të avionit që u përplas dhe 125 persona brenda kompleksit.

Pas sulmeve, Shtetet e Bashkuara nisën një fushatë të gjerë kundër al-Kaidës dhe organizatave terroriste. Në tetor 2001, SHBA-ja dhe aleatët e saj ndërhynë ushtarakisht në Afganistan, ku regjimi taleban kishte strehuar udhëheqësin e al-Kaidës, Osama bin Laden.

Sipas dëshmive të mëvonshme, sulmi ishte drejtuar për në Shtëpinë e Bardhë, por shkaktoi një tragjedi akoma dhe më të madhe, që vijon të mbahet mend si një nga sulmet më të mëdha në historinë e Amerikës.